Ukraina zyrtarisht ka nisur bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Brukseli po ashtu ka nisur bisedimet për anëtarësim edhe me Moldavinë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, lavdëroi nisjen e bisedimeve, duke thënë se projekti evropian është i kompletuar vetëm me Ukrainën si pjesë të tij.
“Nga sot ne kemi besim të plotë se Ukraina definitivisht do të bëhet anëtare me të drejta të plota e BE-së”, tha ai përmes një video-adresimi nga Kievi.
Delegacioni i Ukrainës që shkoi në Luksemburg u udhëhoq nga zëvendëskryeministrja për Integrim Evropian dhe Euroaltantik, Olha Sefanishyna, dhe përbëhej nga më shumë se 30 zyrtarë, kryesisht përfaqësues të Qeverisë.
“Ky vërtet është një moment historik për shtetin tim. Të gjitha shtetet janë së bashku në këtë vendim”, tha ajo gjatë arritjes në ceremoninë që shënoi nisjen e bisedimeve.
Ajo tha se përderisa Rusia po vazhdon sulmet ndaj Ukrainës, nisja e negociatave për anëtarësim do t’iu japë ukrainasve “fuqinë morale për të vazhduar rezistencën”.
Ministrja e Jashtme belge, Hadja Lahbib, shteti i së cilës aktualisht udhëheq presidencën e BE-së, e cilësoi si moment historik. Ajo tha se BE-ja do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën.
Më 21 qershor, blloku evropian miratoi kornizën negociuese për Ukrainën dhe Moldavinë pasi Komisioni Evropian më 7 qershor rekomandoi nisjen e këtij procesi, duke argumentuar se të dyja shtetet janë të përgatitura mjaftueshëm.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, uroi Moldavinë dhe Ukrainën, duke thënë se nisja e negociatave për anëtarësim “është lajm i mirë” për qytetarët e të dyja shteteve dhe mbarë BE-në.
“Rruga përpara do të jetë e vështirë, por e mbushur me mundësi”, tha ajo.
Në tetor, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se Ukraina – e cila që nga viti 2022 po përballet me pushtimin e paprovokuar që nisi Rusia – mund të bëhet anëtare e bllokut më 2030 “nëse palët kryejnë detyrat e shtëpisë”.
Edhe presidentja properëndimore e Moldavisë, Maia Sandu, është zotuar se shteti i saj do të anëtarësohet në BE deri në vitin 2030.
Ukraina dhe Moldavia dorëzuan kandidaturat e tyre për anëtarësim pak pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Ato morën statusin e vendit kandidat në qershor të atij viti.