Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo.
Në këtë takim miqësor, Konjufca e falënderoi ambasadoren holandeze për punën e saj në Republikën e Kosovës, kontributi i së cilës ka qenë i rëndësishëm për përafrimin e mëtejshëm dhe thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve që ndajnë vlerat, synimet dhe interesa të përbashkët.
“Kryetari Konjufca tha se Holanda është një shtet mik që është gjendur përkrah Republikës së Kosovës nëpër periudhat e shtetndërtimit, me angazhimin e saj të vazhdueshëm, gjë që i jep Holandës një vend të veçantë të mirënjohjes në vendin tonë. Ai tha se ambasadorja Lobbezoo është pjesë e kësaj ecurie të përbashkët, për çka ka edhe mirënjohjen tonë”.
“Ambasadorja holandeze, Carin Lobbezoo e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen, e njëkohësisht u shpreh e bindur se edhe pas përfundimit të mandatit të saj do të vijojë kjo traditë e bashkëpunimit të mirë, angazhimit dhe gatishmërisë për të fuqizuar edhe më shumë marrëdhëniet ndërmjet shteteve tona, si dhe do të vazhdojë mbështetja për Republikën e Kosovës në arritjen e objektivave të saj demokratike”, thuhet në njoftim.