Qeveria izraelite ka miratuar planet për ndërtimin e pothuajse 5.300 shtëpive të reja në vendbanimet në Bregun e pushtuar Perëndimor, tha një grup monitorues më 4 korrik.
Ky është vendimi i fundit në fushatën për përshpejtimin e zgjerimit të vendbanimeve, që synon të çimentojë kontrollin izraelit mbi këtë territor dhe të parandalojë krijimin e një shteti palestinez në të ardhmen.
Vendimi për vendbanimet kërcënon të rrisë edhe më shumë tensionet në Bregun Perëndimor, ku ka pasur rritje të dhunës që kur shpërtheu lufta në Gazë më 7 tetor mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Grupi monitorues kundër vendbanimeve, Peace Now, tha se Këshilli për Planifikim të Lartë i Qeverisë izraelite ka miratuar apo avancuar planet për 5.295 shtëpi në dhjetëra vendbanime në Bregun Perëndimor.
Ky grup monitorues tha se Izraeli ka miratuar kapjen më të madhe të tokës në Bregun Perëndimor në më shumë se tri dekada.
COGAT, trupi izraelit i mbrojtjes që mbikëqyr Këshillin e Planifikimit, nuk është përgjigjur për koment pas publikimit të këtyre informacioneve nga Peace Now.
Qeveria izraelite e Benjamin Netanyahut është e dominuar nga kolonët dhe mbështetësit e tyre. Ministri i financave, Bazalel Smotrich, është kolon dhe atij i është dhënë përgjegjësia për hartimin e politikave për vendbanimet.
Ai ka thënë se zgjerimi i shpejt i vendbanimeve pjesërisht po bëhet për t’u siguruar që një shtet palestinez të mos mund të krijohet në të ardhmen.
Në muajt e fundit, dhuna është përshkallëzuar dhe janë regjistruar më shumë se 1.000 sulme të kolonëve ndaj palestinezëve, duke shkaktuar vdekje, dëmtim të pronave dhe në disa raste, duke detyruar palestinezët që të largohen nga fshatrat.
Palestinezët duan që Bregu Perëndimor, Jerusalemi Jugor – zona që u morën nën kontroll nga Izraeli gjatë luftës së Lindjes së Mesme të vitit 1967 – të jenë pjesë e shtetit të tyre të pavarur.
Vendimi për ndërtimin e shtëpive të reja për kolonët mund të zemërojë aleatin e Izraelit, Uashingtonin, që është shprehur kundër vendbanimeve, por ka bërë pak për t’i bërë presion Izraelit për këtë çështje.
Ndërkaq, çështja e shtetësisë palestineze është pjesë e një përpjekje për zgjidhje afatgjatë për Gazën.
SHBA-ja e ka ngritur idenë që Autoriteti Palestinez, me bazë në Bregun Perëndimor, të qeverisë me Gazën pasi të përfundojë lufta dhe ka bërë thirrje që të ringjallet procesi i paqes, që do të çonte në krijimin e shtetit palestinez.
Këto ide i ka kundërshtuar fuqishëm kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.