Orban takohet me Putinin në MoskKryeministri hungarez, Viktor Orban, është takuar me presidentin rus, Vladmir Putin, në Kremlin më 5 korrik si pjesë e asaj që udhëheqësi hungarez e përshkruan si “mision të paqes”. Por, kjo vizitë në Rusi ka zemëruar zyrtarët e Bashkimit Evropian, të cilët e cilësojnë si vizitë për çështje dypalëshe.
Që kur u bë publike një ditë më parë informacioni për këtë vizitë të pakoordinuar, disa zyrtarë të lartë të BE-së kanë intensifikuar deklaratat për të distancuar bllokun nga planet dhe veprimet e Orbanit, ndërkaq Kievi tha se nuk ka dhënë “pajtimin” e tij për asgjë.
Vizita u zhvillua më pak se një javë pasi Budapesti mori kryesimin e presidencës së Këshillit të BE-së dhe tri ditë pasi Orban prezantoi një marrëveshje të mistershme armëpushimi gjatë një vizite, po ashtu të befasishme, në Kiev.
Orban ka mbajtur raporte të ngushta me Punin dhe u ka rezistuar sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë. Ai po ashtu ka refuzuar që t’iu bashkohet përpjekjeve perëndimore për ndihmë ushtarake për Ukrainën, shtet që po përballet me pushtimin e urdhëruar nga Putini më 24 shkurt 2022.
Gjatë pritjes në Kremlin me Orbanin, Putin tha në nisje të takimit se udhëheqësi hungarez disi po vepron në emër të BE-së.
“E kuptoj se kësaj radhe ju nuk keni ardhur vetëm si partneri ynë i kamotshëm, por edhe si president i Këshillit [të BE-së]”, i tha Putin Orbanit.
Ai tha se Orban “paraqiti qëndrimin e partnerëve evropianë” për situatën në Ukrainë dhe është i gatshëm të bisedojë për “nuancat” e propozimeve për paqe.
Në këtë vizitë, Orban është shoqëruar nga ministri i tij i Jashtëm, Peter Szijjarto.
Zëdhënësi i Orbanit e shpërndau një fotografi në rrjetet sociale, ku shihet Orbani në tepihun e kuq në Moskë. “Misioni i paqes vazhdon. Ndalesa e dytë: Moska”, shkroi ai.
Szijjarto e postoi një fotografi të veten duke zbritur nga avionin i Forcës Ajrore hungareze dhe shkroi: “Mbërritëm në Moskë. Një hap tjetër për paqe!”
Zyrtarët e BE-së kanë shprehur zemërim për këtë vizitë të kryeministrit hungarez.
Një zyrtar i BE-së i tha REL-it se Orbani nuk e njoftoi Brukselin për asnjë vizitë të planifikuar në Moskë, ndërsa Zyra e tij nuk iu përgjigj kërkesës për koment.
Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, tha në një komunikatë të premten se “kryeministri Viktor Orban nuk ka marrë mandat nga Këshilli i BE-së për ta vizituar Moskën”.
Pak para se të udhëtonte për Moskë, Orban tha se nuk është në pozitë për të udhëhequr bisedime mes Ukrainës dhe Rusisë.
Orbani është kritik i ndihmës së Perëndimit për Ukrainën në luftë kundër pushtuesit rus, dhe ka marrëdhënie më të mira me Putinin se çdo lider evropian.
Ai tha se fakti se Hungaria mban kryesimin e BE-së tani, nuk i jep atij mandat të udhëheqë negociata në emër të bllokut.
“Unë nuk kam nevojë për një mandat, sepse unë nuk përfaqësoj asgjë”, tha Orban gjatë një interviste të rregullt mëngjesore në radio të premten.
“Krejt çka bëj unë është, shkoj nëpër vende ku ka luftë, apo kërcënim për luftë që kërcënon Bashkimin Evropian dhe Hungarinë, apo që ka pasoja të këqija për to, dhe bëj pyetje”, shtoi ai.
Një ditë para vizitës së Orbanit në Moskë, Charles Michel, president i Këshillit Evropian, shkroi në X se “udhëheqja me rotacion e presidencës së BE-së nuk ka mandat që të angazhohet me Rusinë në emër të BE-së”.
“Këshilli Evropian është i qartë: Rusia është agresorja, Ukraina është viktima. Nuk ka diskutime për Ukrainën, pa Ukrainën”, tha Michel.
Në fillim të kësaj jave, Orbani u takua me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në Kiev, ku i bëri thirrje atij ta shqyrtojë një marrëveshje për armëpushim për t’i dhënë fund më shpejt luftës me Rusinë.
Të premten, Orbani tha se i bëri Zelenskyt “tri prej katër pyetjeve të rëndësishëm” për të kuptuar se “sa larg është Kievi në gjendje të shkojë për paqen”.
Orbani e vizitoi Rusinë më 2022, por s’u takua me Putinin. Megjithatë, ata janë takuar në vende të tjera prej atëherë. /REL