Faton Hajrizi, i burgosuri që u arratis të shtunën për herën e nëntë nga burgjet e Kosovës është shpallur në kërkim nga Policia.
I burgosur për vrasjen e ushtarit rus dhe vepra tjera penale, Hajrizi iku nga Burgu i Smrekonicës të shtunën në orët e mëngjesit me një plan të detajuar.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se edhe këtë herë, si në ikjet e tij të mëhershme, Hajrizi ishte i përgatitur për t’u larguar nga burgu pa u kapur nga oficerët.
Faton Hajrizi dyshohet se u arratis gjatë periudhës kohore nga ora 05:00 e mëngjesit deri në orën 07:00.
I arratisuri më i famshëm në Kosovë arriti që fillimisht t’i shfrytëzojë çarçafët e shtratit, të cilët i lidhi në radiatorin e dhomës ku ai ishte i vendosur.
Në këtë mënyrë, Hajrizi arriti që të largohet nga dhoma e burgut përmes dritares në katin e dytë dhe kështu ia doli të depërtojë në katin e parë.
Nga aty, Hajrizi e kaloi rrethojën e jashtme të burgut dhe u arratis për herën e nëntë.
Qendra Korrektuese e Smrekonicës ku Hajrizi vuante dënimin është institucion i tipit të hapur.
Arratisjen e tij e ka konfirmuar edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe ka njoftuar se për këtë çështje është njoftuar Policia dhe janë suspenduar dy oficerë.
Faton Hajrizi ishte dënuar për vrasjen e një ushtari rus. Në kohën kur ai e kishte kryer vrasjen ishte rreth 15-vjeçar. Për këtë vrasje, ai ishte dënuar 27 vjet burg.
Por, siç rrëfente vetë Hajrizi, tre ditë pasi u dërgua në burgun e Mitrovicës, ai kishte arritur të ikte nga atje. Ngjarja kishte ndodhur në vitin 2000.