Një grua e cila u mor nga dallgët e detit teksa po notonte në një plazh në Japoni, është gjetur e gjallë rreth 80 kilometra larg nga bregu, 36 orë pasi ajo u zhduk, transmeton Gazeta Enigma.
21-vjeçarja kineze kishe me vete një gomë që i ndihmoi të qëndronte mbi ujë.
Ajo kishte qenë duke notuar në plazhin Shirahama Ohama rreth orës 19:30 të së hënës me një shoqe të saj.
Autoritetet nisën një operacion kërkimi dhe shpëtimi pasi shoqja e saj ngriti alarmin.
“Ishte rreth orës 19:55 më 8 korrik kur morëm informacionin pasi shoqja e gruas raportoi në një dyqan komoditeti aty pranë se ajo ishte zhdukur”, tha një zyrtar lokal i rojës bregdetare të Japonisë.
Gruaja, e cila nuk u identifikua, u tregoi shpëtimtarëve se ajo u përfshi nga dallgët në det dhe nuk mund të kthehej në plazh pasi po notonte me një gomë.
Ajo u pa pas 36 orëve duke lundruar në skajin jugor të gadishullit Boso, nga një anije mallrash në orën 7:48 të mëngjesit të së mërkurës.
Dy anëtarë të ekuipazhit të një cisternë më të vogël aty pranë u kontaktuan me radio dhe u hodhën në det për ta shpëtuar atë.
“Ka 80 kilometra në një vijë të drejtë midis plazhit dhe vendit të shpëtimit… por supozohet se ajo u largua në një distancë edhe më të madhe”, tha zyrtari.
Gruaja u dërgua në spital pas shpëtimit, por nuk kishte nevojë të trajtohej pasi ajo ishte me e vetëdijshme dhe dehidratimi i saj nuk ishte kërcënues për jetën. /Gazeta Enigma