Ligji për Komisionin e Pavarur të Mediave është miratuar sot nga Kuvendi i Kosovës, por jo edhe nga organizatat vendore e ndërkombëtare. Faktikisht, ligji po thuhet se po shkel demokracinë në vend, teksa ka edhe ankesa në mënyrën se si është përpiluar ky ligj, dhe se si u miratua sot në Kuvend, shkruan Gazeta Enigma.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, thotë se Lëvizja Vetëvendosje e Kryeministrit Albin Kurti, e ka miratuar ligjin me kuorumin minimal, dhe pa prezencën e opozitës në sallë.
“Partia politike në pushtet nuk i ka marrë parasysh vërejtjet e shoqërisë civile e medieve, dhe ka shpërfillur Raportin e ekspertes së Këshillit të Evropës, që ka konstatuar se pjesa më e madhe e Ligjit nuk i përmbushë standardet evropiane, duke përfshirë ato të Këshillit të Evropës ku Kosova synon anëtarësimin. Një gjë e tillë, u theksua sot para votimit edhe nga Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Sipas AGK-së, votimi i sotëm është prej goditjeve më të mëdha që Qeveria e Kosovës dhe Vetëvendosje ka bërë kundër lirisë së medies në Kosovë, në një përpjekje të nisur qysh prej fillimit të mandatit për disiplinimin dhe kontrollimin e tyre.
“Votimi i sotëm do të ketë një tjetër efekt negativ në renditjen e vendit në raportet ndërkombëtare të fushës. AGK-ja, bën thirrje për përdorimin e të gjitha mjeteve ligjore dhe kushtetuese për ta kundërshtuar hyrjen në fuqi të ligjit”, thuhet në reagim.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i OSBE-së.
OSBE shprehet e shqetësuar lidhur me miratimin e këtij Projektligji.
“KPM-ja luan një rol kyç në kornizën rregullative të mediave të Kosovës. Aftësia e saj për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe profesionale ka qenë çelësi i besueshmërisë dhe autoritetit të saj. Ekspertët ndërkombëtarë për të drejtën e medias dhanë, në emër të Këshillit të Evropës, Bashkimit Evropian dhe OSBE-së, rekomandime të detajuara për përafrimin e ligjit me standardet ndërkombëtare. Megjithatë, për fat të keq, shumica e këtyre rekomandimeve nuk janë pasqyruar në ligjin e miratuar”, thuhet në reagimin e OSBE-së.
Tutje OSBE ka theksuar se rekomandimet kryesore të ekspertëve të cilat nuk janë marrë parasysh kanë reflektuar shqetësime rreth dispozitave të reja të cilat do të kenë ndikim në përbërjen, rolin dhe përgjegjësitë e KPM-së, si dhe në procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të rinj dhe kushtet e shërbimit për të zgjedhurit.
“Rekomandimet mbi rolin dhe përgjegjësitë e KPM-së gjatë fushatave zgjedhore gjithashtu nuk janë marrë parasysh. Zgjerimi i juridiksionit të KPM-së në mediat sociale, i shoqëruar me mungesën e kritereve të qarta për bllokimin e përmbajtjeve të dëmshme, ngre shqetësime për proporcionalitetin dhe ka implikime të mundshme për lirinë e shprehjes. U bënë disa përpjekje për të rishikuar disa nene për të arritur qartësi ligjore dhe për të futur masa mbrojtëse procedurale, por ligjit ende i mungojnë mekanizmat efektivë të vetë-rregullimit”, thuhet tutje në reagim.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka shtuar se ndërsa mirëpresim futjen e rregulloreve në lidhje me pronësinë dhe përqendrimin e mediave, vërejmë gjithashtu se, siç janë hartuar, atyre u mungon qëndrueshmëria procedurale.
“Ekspertët ndërkombëtarë ofruan komentet dhe rekomandimet e tyre në përpjekje për të siguruar që ky legjislacion i ri jo vetëm që do të pasqyronte standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira, por gjithashtu do të ishte i përshtatshëm për qëllimin, që do të forconte Komisionin e Pavarur të Mediave dhe do të ruante pavarësinë shumë të rëndësishme të këtij organi.
Misioni i OSBE-së mbetet i përkushtuar për të mbështetur Kosovën në përafrimin e legjislacionit të saj për të përmbushur standardet më të larta ndërkombëtare.
Do të jetë e rëndësishme që ligji i miratuar tani të jetë objekt i një rishikimi të plotë, gjatë të cilit duhet të kërkohen pikëpamjet e ekspertëve kosovarë dhe ndërkombëtarë. Ndërkohë ne jemi të gatshëm si gjithmonë për të mbështetur KPM-në me këshilla të ekspertëve dhe ngritjen e kapaciteteve”, thuhet në fund të reagimit.
Pasi Lëvizja Vetëvendosje ka miratuar në Kuvend ligjin për KPM-në pa marrë parasysh rekomandimet e ekspertëve, ka reaguar edhe shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Thomas Szunyog
Ai ka thënë se Kuvendi i Kosovës humbi sot një mundësi për të pasur dy ligje të mira në vend, duke dështuar të përfshirë rekomandimet e BE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare.
“Kuvendi i Kosovës sot humbi mundësinë për të pasur dy ligje të mira, Ligjin e ndryshuar për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, duke dështuar në inkorporimin e plotë të rekomandimeve të BE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare”, ka shkruar ai.
Gjithashtu edhe sekretari i përgjithshëm i Federatës Europiane të Gazetarëve (EFJ), Ricardo Gutierrez ka reaguar pasi është miratuar Ligji për KPM-në.
Në një reagim të bërë në platformën “X”, ka thënë se ky ligj u miratoi edhe pavarësisht këshillave të KiE-së, BE-së, OSBE-së dhe EFJ-së për të mos e bërë.
Tutje ai thotë se sot është ditë e zezë në lirinë e medias dhe demokracinë në Kosovë.
Reagim ka bërë edhe ambasdori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.
Rohde ka thënë se nëse Kosova do të përshpejtojë rrugën e saj drejt BE-së, atëherë çdo ligj të ri duhet ta bëjë plotësisht në përputhje me standardet e BE-së.
Rohde shton se rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare janë injoruar.
“Kosovarët duan të jenë pjesë e familjes evropiane dhe nëse qeveria e Kosovës dëshiron të përshpejtojë rrugën e saj drejt BE, çdo ligj i ri duhet të jetë plotësisht në përputhje me standardet e BE. BE, KiE dhe OSBE kanë dhënë opinionet e tyre për ligjet, por janë injoruar…”, ka shkruar ai.
“Kosovë: Parlamenti sapo miratoi ligjin për media (Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave) pavarësisht këshillave nga KiE, BE, OSBE dhe EFJ për të mos bërë kështu. Sot është një ditë e zezë për Lirinë e Medias dhe Demokracinë në Kosovë. Partitë politike opozitare e bojkotuan seancën”, shkroi Gutierrez në “X”.
Reagimi i Partisë Demokratike të Kosovës ka qenë pak më ndryshe.
Nga rradhët e partisë, kanë paralajmëruar se ligjin për KPM-në do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Tahiri ka thënë se këtë do e bëjnë në mënyrë që të sigurohen se po respektohet kushtetuta.
“Përpjekjet e përseritura të këtij pushteti për kapjen dhe nënshtrimin e institucioneve të pavarura të drejtësisë si dhe kontrollimin e mediave dhe të fjalës së lirë, e morën formën e vendimit me miratimin e dy ligjeve në seancën e sotme. Prandaj, sigurisht se do të shfrytëzojmë mekanizmat kushtetues për ti dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave në mënyrë që të sigurohemi për respektimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, shkroi ai.
Juristja e së drejtës së medias, Flutura Kusari, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se sot është ditë e errët për demokracinë, lirinë e shprehjes dhe të medias në Kosovë.
“VV-ja e aprovoi me 61 vota projektligjin anti-europian per Komisionin e Pavarur per Media.
Sot eshte dite erret per demokracine dhe lirine e shprehjes dhe te medias ne Kosove”, shkroi ajo. /Gazeta Enigma/