Një nga qentë endacakë pati fatin të ketë pronar kreun e Prishtinës Përparim Ramën, emri i tij është Pistaqio.
Kryeprishtinasi thotë se nuk mori të holla për iniciativën e tij e cila nisi me krijimin e një akti komunal për të subvencionuar qytetarët që do të strehonin qentë endacakë dhe kjo u tha që po bëhet për të zgjidhur njëherë e mirë problemin me qentë pa pronarë.
Por pavarësisht që kanë kaluar gati një vjet nga adoptimi i qenit të parë, ende numri i tyre nuk ka kaluar shifrën 100.
Sidoqoftë, ky problem i kamotshëm i kryeqytetit me qentë pa pronarë, nuk duket të ketë qenë efikas – madje komuna ende e konsideron emergjente këtë çështje.
Drejtoria e cila deri më tash ka pasur nën kontroll këtë problematikë, ajo e Sigurisë dhe Emergjencave, projektin e gjithçka tjetër që ka të bëjë me qentë endacakë, e ka përcjellë në Drejtorinë e Shërbimeve Publike.
Drejtori Bekim Brestovci, në një intervistë për Kiksin, thotë që me të marrë drejtoria e tij nën kontroll këtë çështje, ka filluar puna intensive.
Tash Komuna po tenton që këtë problem ta zgjidhë me finalizimin e asaj që do të quhet Qendra Kryesore Veterinare, e cila thuhet se do të merret me secilin qen që bredh rrugëve të qytetit.
Brestovci ka thënë se janë në fazën e fundit të kompletimit të projektit për krijimin e një qendre veterinare.
Përveç kësaj qendre, në ndërtim e sipër është edhe një hapësirë prej 4 hektarësh, pjesë kjo në të cilën do të bëhet strehimi i përkohshëm i qenve endacakë.
Sipas drejtorit Brestovci, nga 1 tetori do fillojë procesi i evakuimit të qenve pa pronarë.
Afër një milion euro do t’i kushtojë kryeqytetit krijimi i kësaj qendre, derisa deri më tani janë shpenzuar 700 mijë euro.
Por pavarësisht që kjo drejtori ka marrë përsipër menaxhimin e projektit për zgjidhjen e problemit të qenve endacakë, ata nuk ishin në dijeni për sulmin që rreth 20 qen i bënë 68 vjeçarit Sylejman Krasniqi, i cili u sulmua në oborrin e QKUK-së, sulm ky nga i cili Krasniqi mori 30 plagë.