Avokati Arianit Koci ka thënë se në Shqipëri ndihet sikurse në Kosovë.
Ai ka deklaruar se nga përvoja personale nuk ka hasur në shqiptarë të Shqipërisë që kanë shprehur antipati ndaj tij vetëm pse është nga Kosova.
“Unë e njoh shumë mirë Shqipërinë, por jo aq sa kam qejf. Ende e kam të paeksploruar. Në Shqipëri ndihem si në Kosovë, kurrë nuk kam parë ndonjë animozitet prej ndonjë shqiptari të Shqipërisë ndaj meje si kosovar. Siç komunikon më mua, komunikon edhe me të vetin”, ka thënë ai të enjten në “Konfront” të KTV-së.
Mirëpo, ndaj kësaj deklarate kanë reaguar panelistët Rron Gjinovci dhe Viktor Buzhala.
“Nuk ka mundësi të shkosh në Shqipëri dhe të mos e takosh një njeri të Shqipërisë që nuk ta përçon emocionin tashmë negativ për ty veç pse je i Kosovës. Nuk po them se e kanë të gjithë, por është e pamundur të shkosh atje dhe të mos e takon një njeri të tillë”, ka thënë Gjinovci.
Ndërsa Buzhala ka vlerësuar se një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve të Shqipërisë i konsiderojnë kosovarët si malokë dhe njerëz të dorës së dytë.