Regjistrimi i popullsisë: Çka tregojnë të dhënat?

Regjistrimi i popullsisë: Çka tregojnë të dhënat?

I shtyrë disa herë, regjistrimi i popullsisë në Kosovë u realizua përfundimisht rreth dy muaj më parë dhe më 12 korrik u publikuan rezultatet paraprake.

Rezultatet finale dhe më të detajuara parashihet të publikohen në fund të këtij viti.

Por, Avni Kastrati, ushtrues i detyrës së drejtorit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), thotë se nuk priten ndryshime në të dhëna.

Çka tregojnë të dhënat?

Që prej regjistrimit të parafundit të popullsisë në vitin 2011, ASK-ja ka publikuar vazhdimisht raporte vjetore të vlerësimit të popullsisë.

Çdo vit, ajo ka vlerësuar se popullsia është më e madhe sesa që është regjistruar më 2011, duke u bazuar në shifrat e natalitetit, mortalitetit dhe migrimit.

Tani, sipas të dhënave të regjistrimit të vitit 2024, popullsia del të jetë ndjeshëm më e vogël sesa në vitin 2011, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Por, në regjistrim nuk kanë marrë pjesë shumë nga banorët në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Ndërkohë, ASK-ja tha se serbët që jetojnë në jug të Lumit Ibër, kanë marrë pjesë në regjistrim, për dallim nga viti 2011.

Kjo pjesëmarrje ka bërë që të dhënat të paraqesin një rritje të popullsisë në komunat me shumicë serbe.

Por, prapëseprapë, rritjen më të madhe në numër të popullsisë e ka shënuar komuna e Fushë Kosovës. Ndërsa, shumica e komunave të tjera në Kosovë kanë pasur rënie të popullsisë.

Nëpër komunat në Kosovë, gjithashtu, është evidentuar një përqindje e lartë e banesave dhe shtëpive të pabanuara. Përqindja më e lartë është në Komunën e Dragashit, ku gati gjysma e shtëpive dhe banesave janë të pabanuara.

ASK-ja thotë se përveç migrimit jashtë Kosovës, është vërejtur edhe migrim brenda vendit, që ka shkaktuar largim të banorëve nga zonat kufitare të Kosovës drejt qyteteve më në qendër.

Dallime janë vërejtur edhe në numrin mesatar të anëtarëve në ekonomi familjare. Edhe pse më i vogël sesa në vitin 2011, ky numër, 4.5, mbetet ende më i lartë se në shumicën e vendeve të rajonit dhe botës.

Një trend i tillë i zvogëlimit të ekonomive familjare është vërejtur edhe në Shqipëri, ku së voni janë publikuar të dhënat e regjistrimit të popullsisë që është bërë gjatë vitit të kaluar.

Njëjtë si në Shqipëri, edhe në Kosovë vërehet një trend i plakjes së popullsisë. Megjithatë, mosha mesatare në Kosovë – tani 34.3 vjeç – mbetet ende dukshëm më e ulët sesa në Shqipëri, ku është 42.5 vjeç.

Të dhëna më të detajuara dhe finale nga regjistrimi i popullsisë në Kosovë pritet të publikohen në dhjetor të këtij viti.

Atëherë, do të publikohen edhe të dhënat për diasporën, që, sipas ASK-së, ka rreth 600 mijë të regjistruar.

Related Articles