Profesori i gazetarisë në Universitetin e Prishtinës dhe njohësi i mediave, Alban Zeneli, thotë se Komisioni i Pavarur i Mediave, nuk është i pavarur pasi që sipas tij, disa nga anëtarët e tij nuk janë të pavarur dhe përveç saj, KPM nuk ka pavarësi as financiare.
‘’Problemi qëndron tek KPM-ja, që si institucion nuk është i pavarur. Ne mund të i themi i pavarur, ndoshta disa prej anëtarëve aty janë të pavarur, por problemi është se nuk ka pavarësi financiare, nuk ka pavarësi profesionale dhe si e tillë ka me qenë shumë e vështirë që mos me shkaktuar probleme të tjera të cilat lidhën me autoritetet rregullative’’ thotë ai.
Zeneli, e konsideron të keq Projektligjin e miratuar dje nga Kuvendi i Kosovës, për KPM-në.
‘’Ky ligj është i keq, i kemi parë edhe deklarimet e gjithë ambasadorëve të vendeve relevante në Kosovë, reagimet e gazetarëve dhe të shoqërisë civile”, shprehet ai.
Profesori Zeneli, thotë se ky është një ligj që minon lirinë e fjalës dhe paraqet regres të madh mbi lirinë e medias.
‘’Unë mendoj po ashtu që është njëri nga ligjet që e minon lirinë e fjalës dhe është regres shumë i madh në lirinë e medias në Kosovë’’, thekson ai.