Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Jeffrey Hovenier, ka përshëndetur hapjen e platformës “Dritarja për Investime të Diasporës”, duke thënë se suksesi i kësaj platforme krijon vende pune përmes shkathtësive të reja dhe ngritë profilin e Kosovës, njofton Gazeta Enigma.
“Është mundësi e rrallë që bizneset nga diaspora mund ta paraqesin. E dimë që kur të vijnë mërgata për të investuar tregojnë idetë më të mira dhe më bashkëkohore”, tha Hovenier, i cili po ashtu ishte i pranishëm në ceremoninë e hapjes.
“Më lejoni të ju inkurajoj për të zhvilluar këtë investim, për t’i tërhequr dhe treguar shkathtësitë e tyre dhe për të investuar në Kosovë, për të nxitur rritjen ekonomike të Kosovës dhe për të mundësuar një të ardhme të begatshme të Kosovës”, deklaroi tutje ai.
“Duam të shohim një ekonomi e cila ua mundëson një begati të gjithë qytetarëve të Kosovës. Kjo është mundësi dhe sfidë jemi këtu për të mbështetur shtetin e Kosovës për të përqafuar dhe për të kaluar këtë sfidë”.
Projekti “Dritare për Investime të Diasporës” ofron deri në 100 milionë euro kredi për investime në Kosovë për diasporën.
Kryeminsitri Albin Kurti, i cili po ashtu ishte i pranishëm në ceremoni, ka thënë se ka shumë bashkatdhetarë që po kthehen në Kosovë për të investuar e shumë të tjerë që kanë shprehur interesim.
“Për një kohë shumë të shkurtër u investuan më shumë se 100 milionë euro. Ky ishte vetëm hapi i parë tani me ‘Dritaren e Investimeve’ është hapi i dytë për të dhënë mundësi për garantimin e investimeve të diasporës kur mërgatës tonë ia mundëson që të hapen edhe në Kosovë. Investimet fillojnë nga 3 milionë euro, ndërsa tek dritarja parashihet të jenë investimet deri në 100 milionë euro që mundësojnë investimet e diasporës”, tha Kurti. /Gazeta Enigma