Mbrëmë, pak pas mesnatës, në Loznicë të Serbisë raportohet të jetë vrarë një polic dhe një tjetër të jetë plagosur.
Autoritetet serbe kanë raportuar se i dyshuar për këtë vepër penale është Artan Hajrizi, shtetas i Kosovës, pasi në vend të ngjarjes thuhet se është gjetur një pasaportë e Republikës së Kosovës me emrin e tij.
Artan Hajrizi është vëllai i Faton Hajrizit, i cili më 6 korrik u arratis nga burgu i Smrekonicës.
Fillimisht u raportua se i dyshuari Artan Hajrizi ka qenë duke udhëtuar me një veturë tip Mercedes, taksi, bashkë me një person të dytë, i cili u tha se ka qenë Fatoni, vëllai i tij.
Mirëpo Klan Kosova tani mëson se në veturë nuk ka qenë fare Artani, por vetëm Fatoni, me pasaportë të Artanit.
Me Fatonin ka qenë vetëm shoferi i taksisë i cili, sipas mediave serbe, është ndaluar nga Prokuroria Themelore Publike në Loznicë “nën dyshimin se ka kryer veprën penale të kalimit të paligjshëm të kufirit dhe kontrabandës me njerëz”, kanë thënë për “Tanjug” nga Prokuroria e Lartë Publike në Shabac.