Donald Trump pritet të marrë zyrtarisht emërimin si kandidat republikan, disa ditë pas atentatit ndaj tij

Donald Trump pritet të marrë zyrtarisht emërimin si kandidat republikan, disa ditë pas atentatit ndaj tij

Donald Trump do të marrë të enjten në Kuvendin Kombëtar Republikan emërimin zyrtar si kandidat për një mandat tjetër në Shtëpinë e Bardhë dhe do të mbajë fjalimin e tij të parë që pas atentatit ndaj tij të shtunën në një tubim fushate në Pensilvani.

Fjalimi i ish-Presidentit Trump mbyll punimet e Kuvendit katër ditor në Miluoki.

Ai është paraqitur në kuvend çdo ditë me një fasho në vesh, për të mbuluar plagën nga sulmi i të shtunës.

Atentati ndaj tij ka mbizotëruar këtë javë në Kuvend, megjithë këmbënguljen e organizatorëve se do të vazhdonin me programin e tyre sipas planifikimit, më pak se 48 orë pas sulmit.

Folësit dhe delegatët vazhdimisht brohoritën “Lufto, lufto, lufto!” duke përsëritur fjalët që zoti Trump tha nga skena e tubimit duke ngritur grushtin pasi agjentët e Shërbimit Sekret vranë sulmuesin. Disa nga përkrahësit e tij kanë filluar të mbajnë fasho të improvizuara për të shfaqur solidaritetin me zotin Trump gjatë Kuvendit.

Ndërsa ish-presidenti Trump do të paraqesë vizionin e tij për katër vitet e ardhshme, pas atentatit ai ka bërë ndryshime në fjalim, duke zbutur tonin e tij. Vetë zoti Trump ka thënë se ngjarja e shtyu të ndryshojë pjesë të fjalimit, që në variantin e parë përbëhej kryesisht nga sulmet ndaj Presidentit Joe Biden. Ai tani do të përqenddrohet më shumë tek bashkimi i vendit.

“Të them të drejtën do të jetë një fjalim krejt tjetër tani,” i tha ai gazetës “Washington Examiner.”.

Folësit në Kuvend ia atribuan ndërhyrjes hyjnore faktin që zoti Trump i mbijetoi sulmit dhe nderuan viktimën Corey Comperatore, që vdiq ndërkohë që po mbronte vajzën dhe bashkëshorten e tij nga të shtënat gjatë tubimit.

“Kjo ditë mund të ishte kthyer nga festë në ditë dhimbje dhe zie,” tha kandidati për nënpresident, senatori nga Ohajo JD Vance, gjatë një fjalimi në Kuvend të mërkurën.

Gjatë fjalimi të tij të parë që kur u emërua si kandidat për nënpresident nga ish-presidenti Trump, senatori Vance foli për fëmijërinë e tij mes varfërisë në Kentaki dhe në Ohajo, për nënën e tij që vuante nga varësia nga droga dhe babain që mungonte në jetën e tij. Ai foli edhe për vendimin për të shërbyer në ushtri dhe se si u ngjit në majat e politikës amerikane.

Djali i zotit Trump, Donald Trump i Riu, foli me emocione të mërkurën për guximin e babait të tij, duke thënë se ai i tregoi “gjithë botës” se “presidenti i ardhshëm amerikan ka një zemër luani.” Por gërshetoi mesazhin për babanë e tij si simbol të bashkimit kombëtar me kritika ndaj armiqëve të tij.

“Kur u ngrit me gjak në fytyrë dhe flamurin pas tij, bota ishte dëshmitare e një shpirti që nuk mund të mposhtet kurrë,” tha ai.

Kuvendi ofroi një pamje të Partisë Republikane të transformuar nga zoti Trump që kur ai fitoi zemrat e elektoratit të partisë drejt emërimit si kandidat i republikanëve në vitin 2016. Ish-rivalët brenda partisë të zotit Trump – përfshirë senatorët Ted Cruz të Teksasit dhe Marco Rubio të Floridës, ish-ambasadorja amerikane në OKB Nikki Haley dhe Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis – shprehën mbështetjen pa kusht për ish-Presidentin.

Edhe senatori Vance, i përzgjedhuri i zotit Trump për ta udhëhequr lëvizjen e tij në të ardhmen, dikur ka qenë kritik i ashpër i tij, duke e krahasuar atë në mesazhe private që rodhën më pas me Hitlerin.

Zoti Trump nuk ka folur në publik që prej sulmit, ndonëse ai ka dhënë intervista pa kamera. Por sipas një inçizimi të komenteve të tij gjatë një bisede telefonike private, të bërë nga një telefon celular dhe të siguruara nga televizioni PBS, zoti Trump i është referuar sulmit.

“Isha me fat,” tha ai. “Zoti ishte me mua.” 

Related Articles