Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një të dyshuar për dhunën në Zveçan në maj të vitit të kaluar dhe sulm ndaj pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë.
I arrestuari është D.D, ndaj të cilit ishte ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Speciale. Ai ishte identifikuar si njëri ndër personat që ka përdor dhunë në mënyrë aktive në Zveqan.
Ai dyshohet për veprat penale: Bashkim për veprimtari kundër kushtetuese, me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës; Rrezikim i personave nën mbrojtje ndërkombëtare; Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi dhe Sulm ndaj personit zyrtar.
“Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftim.
Dhuna ndodhi më 29 maj të vitit të kaluar, gjatë protestës së disa qytetarëve serbë që kundërshtonin hyrjen e kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Aty u plagosën rëndë dhe lehtë 93 ushtarë të KFOR-it, të cilët ishin të dislokuar para Komunës së Zveçanit.