Izraeli sulmoi një zonë në rrethinat e Bejrutit të martën mbrëma në përpjekje për të goditur një komandant të lartë të grupit militant Hezbollah. Sulmi ajror, sipas autoriteteve izraelite, ishte hakmarrje ndaj sulmit me raketë të fundjavës në brendësi të Izraelit, që vrau 12 fëmijë.
Sipas mediave shtetërore libaneze, një grua ka vdekur, ndërsa shtatë vetë janë plagosur, njofton agjencia Reuters.
Një dëshmitar i tha agjencisë Reuters se kishte dëgjuar një shpërthim të fortë the kishte parë shtëllunga tymi rreth orës 19:40 në një rethinë në jug të kryeqytetit libanez, bazë e Hezbollahut.
Sipas një burimi libanez të sigurisë, një komandant i lartë i Hezbollahut ishte objektiv i sulmit ajror dhe gjendja e tij mbetet e paqartë.
Agjencia shtetërore e lajmeve të Libanit njoftoi është se sulmuar zona rreth Këshillit konsultativ të Hezbollahut.
Në një deklaratë për mediat, ushtria izraelite njoftoi se ka kryer “një sulm në Bejrut ndaj komandantit përgjegjës për vrasjen e fëmijëve në Maxhdal Shams dhe vrasjen e një numri civilësh të tjerë izraelitë.”
Sulmi izraelit ishte në kundërpërgjigje ndaj një sulmi me raketë ndaj Golanit, që gjendet nën kontrollin e Izraelit, që shkaktoi vdekjen e fëmijëve të komunitetit druzhë ndërsa luanin në një fushë futbolli.
Hezbollahu ka mohuar të jetë prapa sulmit.
Duke reaguar ndaj njoftimeve për sulmin izraelit, Shtetet e Bashkuara thanë se nuk mendojnë që lufta midis Hezbollahut dhe Izraelit është e pashmangshme, sipas zëdhënëses Karine Jean-Pierre.
Sulmi izraelit u dënua menjëherë nga Irani, që e quajti atë “agresion të ulët ” nga Izraeli, ndërsa grupi militant palestinez Hamas e cilësoi atë një “përshkallëzim të rrezikshëm”. Sulmi u dënua edhe nga Rusia si “shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare”, njofton agjencia Reuters.