Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se duhet pritur derisa të ketë përgjigje konkrete për rastin e Faton Hajrizit, pasi sipas saj kemi të bëjmë me shtet fashist, duke iu referuar Serbisë, që edhe në raste të tilla bën pengesë.
Në një konferencë për media të mërkurën, Osmani ka thënë se institucionet e Kosovës po angazhohet çdo ditë për ta zgjidhur këtë çështje.
“Republika e Kosovës e ka një zyre ndërlidhëse në Serbi dhe ambasadori ynë në këtë shtet në baza ditore angazhohet edhe me aleatët tonë edhe me institucionet tona. Ju siguroj që të gjitha përpjekjet janë duke u bërë. Thjeshtë kemi të bëjmë me një shtet fashist që edhe në raste të tilla tentojë të bëjnë pengesë. Duhet të presim derisa të kemi një përgjigje konkrete”, ka thënë Osmani.
Faton Hajrizi u vra më 19 korrik në afërsi të kufirit mes Serbisë dhe Bosnjës. Një ditë më herët, ai dyshohet se ka vrarë një polic serb dhe ka plagosur një tjetër. Faton Hajrizi qe arratisur nga burgu i Smrekonicës më 6 korrik.
Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, në një konferencë për media të mërkurën e kaluar ngriti dyshimet se ende nuk dihet nëse i vrari është Faton Hajrizi. Më 22 korrik, kjo ministri konfirmoi se gjurmët e gishtërinjve të dërguar nga Serbia i përkisnin shtetasit Faton Hajrizi.
Arianit Koci është avokat i autorizuar nga familja Hajrizi për tërheqjen e trupit të Fatonit. Por pavarësisht përpjekjeve, trupi ende s’ka ardhur në Kosovë.
E pyetur për çështjen e Banjskës, Osmani ka shtuar se është vështirë të kuptohet se si ende s’ka aktakuzë “me gjithë ato dëshmi të mbledhura”.
“Është çështje që vështirë është të kuptohet me gjithë ato dëshmi që janë mbledhë dhe deri tani të mos të ketë aktakuzë. Me mos ngritjen e aktakuzës është befasi se i kam parë me sy provat dhe i keni parë. Mos të ngrihet aktakuzë për dikë që ka kryer aktin më të lartë ndaj Republikës së Kosovës, është befasi tepër e madhe dhe duhet të kërkojmë përgjegjësi çdo ditë”, ka thënë Osmani.
Ajo bëri thirrje që të veprohet shpejtë “për hir të mbrojtjes së sigurisë nacionale”.