Qeveria amerikane e ka njohur Edmundo González Urrutian si fitues të zgjedhjeve presidenciale të Venezuelës, duke diskredituar rezultatet e shpallura nga autoritetet zgjedhore të kontrolluara nga qeveria, të cilët shpallën Nicolás Maduron fitues, transmeton Gazeta Enigma.
“Duke pasur parasysh provat, është e qartë për Shtetet e Bashkuara dhe, më e rëndësishmja, për popullin venezuelian se Edmundo González Urrutia fitoi shumicën e votave në zgjedhjet presidenciale të Venezuelës të 28 korrikut”, tha sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken.
Këshilli Zgjedhor i vendit e shpalli Maduron fitues të zgjedhjeve të shumëpritura të së dielës, por sfiduesi kryesor i presidentit, González dhe liderja e opozitës, María Corina Machado, kanë thënë se kanë marrë më shumë se dy të tretat e fletëllogaritjeve që çdo makinë elektronike votimi printoi pas mbylljes së votimit.
Ata thanë se publikimi i të dhënave mbi këto raporte do të vërtetonte se Maduro humbi.
Njoftimi nga qeveria amerikane erdhi në mes të përpjekjeve diplomatike për të bindur Maduron që të nxjerrë votat reale nga zgjedhjet dhe thirrjet në rritje për një rishikim të pavarur të rezultateve.
Zyrtarë qeveritarë nga Brazili, Kolumbia dhe Meksika kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm me administratën e Maduros për ta bindur atë se ai duhet të tregojë fletët e numërimit të votave nga zgjedhjet e së dielës dhe të lejojë verifikimin e paanshëm.
Të hënën, pasi Maduro u shpall fitues, mijëra mbështetës të opozitës dolën në rrugë. Qeveria tha se arrestoi qindra protestues dhe Organizata e të drejtave të njeriut me bazë në Venezuelë, Foro Penal tha se 11 persona u vranë. Dhjetëra të tjerë u arrestuan të nesërmen, duke përfshirë ish-kandidatin e opozitës, Freddy Superlano.
Machado dhe González iu drejtuan një tubimi të madh të mbështetësve të tyre në kryeqytetin, Karakas, të martën, por që atëherë ata nuk janë parë në publik.
Venezuela ka rezervat më të mëdha të provuara të naftës së papërpunuar në botë dhe dikur mburrej me ekonominë më të përparuar të Amerikës Latine, por ajo ra në rënie pasi Maduro mori drejtimin më 2013. Rënia e çmimeve të naftës, mungesat e përhapura dhe hiperinflacioni që u rrit mbi 130,000% çuan në trazira sociale dhe emigracion masiv.
Më shumë se 7.7 milionë venezuelianë janë larguar nga vendi që nga viti 2014, eksodi më i madh në historinë e fundit të Amerikës Latine. /Gazeta Enigma