AKK: Komunat rrezikohen të vonohen në planifiktim të saktë buxhetor për vitin 2025

AKK: Komunat rrezikohen të vonohen në planifiktim të saktë buxhetor për vitin 2025

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) kërkon urgjentisht nga Ministri i Ministrisë së Financave dhe Transfereve (MFPT) të lëshojë Qarkoren e dytë Buxhetore për komunat e Republikës së Kosovës.

Lëshimi i kësaj Qarkoreje u mundëson Komunave të Republikës së Kosovës që të fillojnë procesin final të planifikimit buxhetor, sipas AKK-së.

“AKK shprehet e brengosur që nëse një gjë e tillë nuk ndodh, komunat nuk do mund t’i zhvillojnë debatet me qytetar dhe kjo mund të dërgoj në mos-planifikim të mirë buxhetor dhe në mos-përmbushjen e kërkesave të qytetarëve në realizimim e nevojave të tyre. Gjithashtu, mos-dorëzimi i buxhetit më datën 1 shtator u kushton komunave me humbje të pikëve në Raportin e Performancës, respektivisht penalizohen nga përfitimet financiare nga Granti i Performancës”, thuhet në komunikatën e tyre.

Sipas AKK-së, “nuk është hera e parë që MFPT e dërgon shumë vonë këtë qarkore dhe i rrezikon Komunat që mos të kenë mundësi teknike që ta dorëzojnë buxhetin me kohë pranë Kuvendeve të Komunave”, më saktësisht me datën 1 shtator, që është obligim ligjor që buxheti t’i dorëzohet Kuvendit të Komunës.

“Pa Qarkoren e Dytë Buxhetore, Komunat nuk i dijnë as kufijtë përfundimtar buxhetor si organizata buxhetore dhe kjo pamundëson direkt dorëzimin e Buxhetin në Kuvendin e Komunës. Nëse ndodhë që MFTP të vonohet edhe më tutje, bordi i AKK thekson që e gjithë përgjegjësia duhet të bijë mbi ministrin Murati, që deri më tani është treguar neglizhent në raport me kërkesat e komunave”.

Gjithashtu, Bordi i AKK-së kërkon edhe një herë që Ministria e Financave sa më shpejt të bëj bartjen e mjeteve financiare të Komunave nga rritja e të hyrave vetjake nga viti 2023.

“Këto mjete ende janë të bllokuara nga MFTP dhe ia rikujtojmë Ministrit Murati që këto mjete janë të Komunave dhe duket shumë absurd që mjetet e Komunave të bllokohen nga niveli qendror”.

“Kemi të bëjmë më mosbartjen e rritjes së të hyrave vetanake të vitit 2023, e që këto të hyra kapin shifrën e milionave euro. Komunat që kanë tejkaluar planifikimin e të hyrave vetanake për vitin 2023 kanë aprovuar këtë rritje buxhetore në Kuvendet e Komunave përkatëse mirëpo, MFPT ende nuk i ka bartur këto të hyra dhe i zvarrit pa asnjë arsye. Duhet ditur se MFPT e ka obligim Ligjor që këto mjete t’i bartë te komunat sepse janë të hyra vetjake të komunave dhe që shumica absolute e këtyre mjeteve janë të dedikuara për investime kapitale, pra në përmisimin e jetës së qytetarëve”, thuhet në fund të komunkatës. /Gazeta Enigma

Related Articles