Maqedonci viziton në Gjakovë veprimtarin Deli Haxhosaj, pas problemeve që pati me shëndet

Maqedonci viziton në Gjakovë veprimtarin Deli Haxhosaj, pas problemeve që pati me shëndet

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka vizituar në Gjakovë veprimtarin e çështjes kombëtare, Deli Haxhosajn, pasi ky i fundit pati sulm në tru dhe në zemër së fundmi.

Maqedonci tha për Haxhosajn se ai vazhdon të jetë ai që ka qenë gjithmonë, “i kthejllët në mendje e i fortë në zemër”.

“Me të u njohëm gjatë periudhave të arta të organizimit dhe luftës së armatosur çlirimtare. Tani pavarësisht problemeve shëndetësore ai mbahet i fortë dhe nuk pranon të thehet”, shkroi Maqedonci në një postim në Facebook.

“Veprimtaria e tij kombëtare është e gjatë, e vazhdueshme dhe jashtëzakonshme. Që nga organizimi i demonstratave të vitit 1981 pastaj me nxitjen e revoltës së studentëve ku mbahet mend për fjalimin e tij tek menza e studentëve, për të vazhduar vitin 1990 si pjesëmarrës i faljes së gjaqeve për të vazhduar më pas në organizimin e veprimtarisë ilegale kundër okupimit serb me ç’rast shtëpia e tij ishte shndëruarr në bazë nga ku niseshin për të sjellë armatim celulat e para të UÇK-së, deri në organizimin e luftës çlirimtare ku kishte angazhuar edhe të birin i cili i kishte vetëm 16 vjeç, ky është rrugëtimi i tij rrënqethës e mbreslënës në shërbim të atdheut”, shkroi tutje ministri.

“Nuk mund të mos e përmend gruan e bacës Deli, e cila ishtë bërë si nënë për ne të gjithë ushtarët e UÇK-së, znj. Zelfije e cila kishte qepur uniformat e para ushtarake për ushtarët e lirisë”.

Maqedonci tha se Deli Haxhosaj, përveç organizimit ushtarak gjithashtu, “me duart e tij të arta shëronte plagët e ushtarakëve të UÇK-së, kështu ne ndiheshim të sigurtë që plagët tona nuk kishin çfarë na bëjnë e nuk do të mund të na ndalnin në rrugën tonë drejt lirisë”.

“Së fundi, baca Deli ka përjetuar sulm në tru e në zemër, por si gjithnjë nuk dorëzohet e nuk thehet, ai qëndron i fortë, po e përballon me sukses e shpejt do t’i kthehet normalitetit. Të paçim me shëndet, baca Deli!”, përfundoi Maqedonci. /Gazeta Enigma

Related Articles