Qeveria e Estonisë njoftoi të enjten se ka filluar kontrolle të plota kufitare në kufirin e saj me Rusinë. Deri tani, autoritetet estoneze kanë kryer vetëm kontrolle të rëndomta kufitare.
Vendimi i së enjtes për kontrolle të plota kufitare në pikëkalimet tokësore dhe hekurudhore në Narva, Koidula dhe Luhamma, u fut në fuqi menjëherë.
Ata të cilët e kalojnë kufirin në këmbë, kontrolli i plotë nënkupton kontrollimi i personit dhe i valixhes së tij apo saj. Atyre që udhëtojnë me veturë do t’iu kontrollohet vetura dhe gjërat brenda saj.
Kryeministri i Estonisë, Kristen Michal, tha se vendimi u mor me qëllim për parandalimin e transportit dhe transitit përmes Estonisë të mallrave të cilat janë nën sanksione të Bashkimit Evropian.
Estonia, ish-republikë sovjetike, është tani një përkrahëse e madhe e Ukrainës në luftën e saj kundër pushtuesit rus.
Kufijtë finlandezë dhe estonezë me Rusinë janë kufij të jashtëm të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s.
Prej kur Moska e filloi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022, Bashkimi Evropian ka vendosur 14 paketa sanksionesh ndaj Rusisë.
Ato përfshijnë, ndër të tjera, masa ekonomike, si kufizimi i importeve dhe eksporteve, të cilat prekin sektorë të ndryshëm në Rusi – nga energjia, bankat, industria dhe transporti, deri te mediat shtetërore ruse, të cilave u ndalohet të punojnë në BE.