Demush Shasha nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane, shpreh mendimin se masat që ka vendosur BE-ja ndaj Kosovës, janë të buta dhe nuk janë me pasoja të pariparueshme.
Megjithatë, sipas tij, ndonëse BE-ja ka në dispozicion mundësinë që t’i shtrëngojë këto masa, vendimi për një gjë të tillë kërkon konsensusin e të gjitha vendeve anëtare, gjë që është vështirë të arrihet.
Deri më tash, siç thotë ai, BE-ja ka anuluar takimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), gjë që ka efekt margjinal.
Megjithatë, sipas tij, në rast se do të arrihej një konsensus për ashpërsimin e masave, atëherë BE-ja mund të marrë vendime politike dhe ligjore që pezullojnë zbatimin e disa pjesëve të MSA-së.
“Për shembull, BE-ja mund të nxjerrë vendim që komplet pjesa tregtare e MSA-së të pezullohet. Kjo i bie që eksportuesve të Kosovës u mohohen të gjitha privilegjet që i gëzojnë aktualisht gjatë eksportit në BE”, thekson Shasha.
Po ashtu, sipas tij, BE-ja ka mundësi të ashpërsojë masën e deritashme të mosftesës së Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale.
Pavarësisht masës aktuale, sipas tij, krerët më të lartë institucionalë të Kosovës kanë marrë pjesë deri më tash në disa takime të nivelit të lartë, por kjo mund të ndryshojë.
“Për shembull, BE-ja mund të nxjerrë vendimin që nga 1 shtatori, institucioneve të Kosovës t’iu mohohet pjesëmarrja në të gjitha forumet evropiane. Unë po flas për përshkallëzime. Kjo mund të shkojë duke u përshkallëzuar, deri në nivelet ku hyjmë në rangun e sanksioneve”, thekson Shasha.
Ai shton se deri më sot edhe masat e BE-së në fushën financiare kanë qenë të buta dhe nuk kanë prodhuar pasoja të pakthyeshme.
Sipas tij, BE-ja ka pezulluar fondet e caktuara për Kosovën, por nuk i ka anuluar ato.
“Tani BE-ja mund ta përshkallëzojë këtë dhe nga pezullimi i fondeve mund të shkojë në anulim të fondeve. Pastaj, pasojat janë të pakthyeshme”, thekson Shasha.
Në këtë kontekst, sipas tij, humbjet për Kosovën mund të jenë nga mijëra euro në qindra miliona euro, varësisht nga ajo se çfarë mesazhi dëshiron të dërgojë BE-ja tek autoritetet e Kosovës.
Megjithatë, ai nuk beson se BE-ja do të ndërmarrë masa ekstreme, por ato do të jenë proporcionale në raport me sjelljen e autoriteteve të Kosovës.
“Gama e mundësive për t’i përshkallëzuar këto masa, është e pafund”, thotë Shasha.
Megjithatë, sipas tij, shtrëngimi eventual i masave nuk ka gjasë të ndodhë për një kohë të shkurtër dhe lehtësisht, sepse kjo mund të shkaktonte pasoja të pariparueshme në raportet Kosovë-BE.
Ai konsideron se edhe BE-ja do të sillet varësisht nga situata në terren.
“Nëse BE-ja, konkretisht, thotë ‘mos e hapni urën (mbi Ibër) dhe nëse institucionet e Kosovës e hapin atë, por gjatë këtij procesi nuk ka ndonjë pasojë në terren – pra nuk do të ketë trazira – atëherë unë nuk shoh që BE-ja do të marrë masa”, thekson Shasha, duke shtuar se në të kundërtën, BE-ja do të reagojë në proporcion me situatën e krijuar.
Sidoqoftë, Shasha shpreh besimin se BE-ja nuk do të marrë masa serioze ndaj Kosovës.
Ai konsideron se edhe në të kaluarën, kur pati trazira serioze në veri të vendit, të cilat rezultuan me ushtarë të lënduar të KFOR-it, masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës ishin të buta.
Më 29 maj të vitit të kaluar, protestat e serbëve në veri të Kosovës, kundër vendosjes së kryetarëve shqiptarë në katër komunat atje, kulmuan me përleshje me pjesëtarët e KFOR-it.
Gjatë përleshjeve, 93 pjesëtarë të KFOR-it u lënduan, disa prej të cilëve kishin lëndime të rënda./REL