Një bazë ushtarake gjermane afër aeroportit të Këlnit është izoluar dhe mijëra ushtarë që ndodhen në të janë këshilluar që të mos pinë ujë të çezmës, pasi autoritetet po e hetojnë atë që mund të jetë akt sabotimi, tha të mërkurën një burim i sigurisë.
Uji në këtë bazë, që ka 4.300 ushtarë e 1.200 punëtorë civilë, mund të jetë kontaminuar, pasi dikush u fut në hapësirat e bazës, shtoi burimi, duke konfirmuar një raport të revistës “Spiegel”, raporton agjencia “Reuter”.
Këshilla për të mos pirë ujë të çezmës u dha si masë parandaluese, përderisa policia, policia ushtarake dhe agjencia e inteligjencës ushtarake po e hetonin sabotimin e dyshimtë kundër forcave gjermane, shtoi burimi.
Baza në Këln-Wahn e strehon flotën e aeroplanëve ushtarakë që përdoren për udhëtime nga kancelari Olaf Scholz dhe ministrat e tij.
Një zëdhënës i Komandës Territoriale në Berlin konfirmoi se baza ishte izoluar, por refuzoi që të jepte hollësi.
“Ne i kemi arsyet tona për këtë veprim dhe ne e marrim rastin seriozisht” – tha ai.