Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, ka mbajtur një stërvitje ushtarake shumëkombëshe të titulluar “Ura është shumë larg”.
Kjo stërvitje u organizua nga forcat hungareze të KFOR-it në fund të korrikut, ku morën pjesë afro 500 ushtarë, teksa ajo është cilësuar si shumë komplekse.
Stërvitja u zhvillua në dy lokacione, me qëllim të përgatitjes për sfidat e sigurisë në Kosovë dhe integrimin e batalionit të manovrimit rumun në Batalionin e Rezervës Taktike.
Bëhet e ditur se stërvitja u konsiderua e suksesshme, duke arritur objektivat e saj si për përgatitjen për sfidat e sigurisë në Kosovë, ashtu edhe për integrimin e suksesshëm të batalionit rumun, që iu bashkuar KFOR-it në korrik, shkruan “Hungarytoday”.
Media hungareze shkruan se gjatë stërvitjes, e cila shërbeu si testi përfundimtar për gatishmërinë e misionit të skuadriljes rumune, personeli demonstroi aftësitë e tij luftarake. Stërvitja përfshinte skenarë të ndryshëm kompleks, si misione sigurie në lagje dhe operacione të kontrollit të trazirave. Përfshirja e agjencive të zbatimit të ligjit si EULEX dhe Njësia Speciale Shumëkombëshe (MSU) shtoi shkallën dhe diversitetin e ushtrimit.