Zjarri i madh ka djegur një sipërfaqe prej 17 hektarësh, në dy fshatra të Podujevës, Pakashticë dhe Kralevc.
Në vendin e ngjarjes ka qenë edhe kryetari i komunës Shpejtim Bulliqi me stafin e tij dhe zyrtarë nga Agjencia e Emergjencave.
Bulliqi tha se këto djegie të pyjeve në komunën që ai drejton po shkaktohen nga “njerëzit e papërgjegjshëm”.
“Në këto temperatura të larta që po mbretërojnë në këto ditë gushti, persona të pandërgjegjshëm po djegin hamulloret, duke shkaktuar kështu djegien e pyjeve, por edhe pasurinë private të banorëve përreth”, shkroi ai.
Ai theksoi se sot ishte në vendin e ngjarjes bashkë me Brigadën e Zjarrfikësve në fshatin Pakashticë, aty ku po intervenohej pasi sipërfaqe me pyje ishin përfshirë nga zjarri.
“Zjarri tash është lokalizuar dhe gjendja është nën kontroll”, theksoi Bulliqi.
Numri një i Podujevës iu bëri thirrje qytetarëve që të mos ndezin zjarre dhe të jenë më të kujdesshëm në ruatjen dhe mbrojtjen e pronës publike dhe private.
“I falënderoj për asistencën në lokalizimin e zjarrit edhe ekipet e KRM “Pastrimi”- Njësia në Podujevë, Stacionin Policor në Podujevë dhe Kompaninë “Natyra””, shtoi ai.