Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se asnjëherë nuk ka pranuar ndonjë kërkesë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të mos hapet për qarkullim Ura e Ibrit.
E para e shtetit tha se përfaqësuesit amerikanë në bashkëbisedimet me të dëshirojnë që të bëhet një plan i përbashkët i zbatimit me institucionet kosovare për hapjen e urës.
“Në takimet e mia me përfaqësues të ShBA-së asnjëherë nuk është thënë se janë kundër hapjes së urës. Përkundrazi janë pro zbatimit të marrëveshjeve në Bruksel të cilat kanë paraprarë hapjen e urës, por sikurse për çdo temë të sigurisë kërkojnë të ulemi bashkë, dhe i luten Kosovës që të ulemi bashkë”, tha Osmani në një konferencë për media gjatë vizitës në Viti.
“Kjo që institucionet e Kosovës te sigurisë dhe aleatët tanë të sigurisë të hartojmë bashkë planin e zbatimit, i cili i merr parasysh për bazë vlerësimet e sigurisë edhe të Kosovës, edhe të aleatëve tanë. Ju siguroj që në shumicën e rasteve ato janë identike sepse bashkëpunojnë, dhe në bazë të këtyre vlerësimeve të përzgjedhet momenti i volitshëm në mënyrë që çështja e hapjes së urës të jetë sukses i përhershëm, jo sukses i momentit por sukses i përhershëm”, u shpreh tutje Osmani.