Dje rreth orës 05:50 në qytetin Soline në jug të Kroacisë ka ndodhur një aksident i rëndë trafiku ku një person ka humbur jetën dhe gjashtë janë lënduar. Pesë persona kanë pësuar lëndime të rënda fizike, ndërsa një është lënduar lehtë.
Siç raporton “Index.hr”, aksidenti është shkaktuar nga një shtetas i Kosovës 40-vjeçar i cili drejtonte automjetin personal me targa sllovene. Ai ka qenë duke lëvizur nga lindja në perëndim dhe në një moment ka kaluar në korsinë e kundërt dhe ka përplasur pjesën e përparme të majtë të një mjeti pasagjerësh me targa kroate, i cili drejtohej nga një shtetas kroat, 45 vjeç.
Shoferi 45-vjeçar ka humbur jetën, ndërsa pasagjerët e atij mjeti, një grua 45-vjeçare dhe një burrë 48-vjeçar, të dy shtetas të Polonisë, kanë pësuar lëndime të rënda fizike, por janë jashtë rrezikut për jetën.
Pasagjerët e lënduar janë mbajtur për trajtim në Spitalin e Përgjithshëm të Dubrovnikut pas ndihmës së dhënë.
Media kroate shkruan se në spitalin e lartpërmendur, për shkak të lëndimeve të rënda, po mbahet një shtetas i Kosovës 40 vjeçar.
“Lëndime kanë pësuar edhe pasagjerët në veturën e tij, po ashtu shtetas të Kosovës. Një grua 42-vjeçare dhe një fëmijë 11-vjeçar kanë marrë plagë të rënda në rrezik për jetën, ndërsa një 18-vjeçar është plagosur lehtë dhe tashmë është liruar në shtëpi”, ka raportuar Index.hr.
Menjëherë pas lirimit të 40-vjeçarit nga spitali, policia e Dubrovnikut do të nisë hetimin penal nën dyshimin e kryerjes së veprës penale të shkaktimit të një aksidenti trafiku në komunikacionin rrugor.