VLEN-i padit politikanin maqedonas, përdori term racist ndaj shqiptarëve

VLEN-i padit politikanin maqedonas, përdori term racist ndaj shqiptarëve

Koalicioni VLEN ka dorëzuar kallëzim penal për gjuhë të urrejtjes ndaj partnerit të koalicionit qeveritar Petar Bogojeski, i cili është kryetar i partisë “Koncepti Maqedonas”, shkruan Enigma.

Kjo vjen pas statusit të Bogojeskit në Facebook, i cili po ashtu i bën thirrje VLEN-it që të mos sillet si BDI-ja.

VLEN ka rikujtuar se politikanët janë përgjegjës për deklaratat e tyre, por Bogojeski është përgjigjur se nuk ka përdorur terma ofendues ndaj shqiptarëve.

“Kur dal për paraqitje zyrtare dhe në mediat publike, përdor më shumë gjuhë formale. Në rrjetet sociale ne shpesh përdorim gjuhë joformale dhe kur përpiqem t’u drejtohem më drejtpërdrejt shqiptarëve, nuk është hera e parë, e kam përdorur shumë më shpesh fjalën “shiptar”, e cila nuk është ofenduese”, tha Petar Bogojeski.

“Nuk është më koha për ngritjen e rejtingut në këtë formë dhe kjo patjetër shkon në drejtim të partisë tjetër – BDI-së, e cila po ashtu planifikon destabilizimin në agjendën e saj”, deklaroi Bujare Abazi.

Vetëm një orë pasi VLEN ka paraqitur kallëzim në Prokurori, të njëjtën gjë ka bërë edhe Bogojeski. Ai thotë se në rrjetet sociale ka denoncuar politikanë shqiptarë, por edhe qytetarë, të cilët kanë nënçmuar shtetin maqedonas.

Pas dorëzimit të kallëzimeve, Abazi dhe Bogojeski komentuan nëse përplasjet publike do të reflektojnë në raportet brenda koalicionit qeveritar.

“Mendoj se jo, megjithatë duhet të përcaktohen kufijtë se çfarë është e lejuar e çfarë jo. Nuk do të heshtim në situata kur nuk na trajtojnë me respekt”, tha Bujare Abazi.

“Ne nuk i kemi as partnerë të koalicionit. Ne jemi pjesë e koalicionit “Maqedonia jote”. Në mënyrë të drejtpërdrejt i kemi partnerë në qeveri, por sjellja e VLEN-it ndaj partisë sonë ka pasoja negative”, u shpreh Bogojeski.

Bogojeski në zgjedhjet e fundit parlamentare u bashkua me koalicionin e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, ndërsa Abazi thotë se këto ngjarje nuk do të ndikojnë në realizimin e programit qeveritar.

Related Articles