Deputeti nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë Kurti për politikat fiskale, duke thënë se të gjitha ato përmblidhen në uljen e tatimit në paga për 6.8 euro.
“Ja sa ‘të thella’ janë politikat fiskale në këtë mandat qeverisës”, shkroi Hoti në një postim në Facebook.
“Vendi është varfëruar pasi inflacioni i ka ulur pagat reale me rreth 1/3. Pagat në sektorin publik nuk janë rritur, së paku nominalisht për tu mbrojtur nga inflacioni. As pensionet dhe përfitimet e tjera nuk janë rritur, përjashto ndihmat e njëhershme. Por energjia dhe tatimi në pronë janë rritur, së bashku edhe me rritjen enorme të çmimit të ushqimeve”.
Ish-kryeministri tha se zhvillimi ekonomik “ka ngecur në mungesë të investimeve të mëdha publike, si rrugët rajonale, termocentrali me gaz e hekurudhat”.
“Rreth 1 miliard euro nga totali i mjeteve të planifikuara në investime kapitale nuk janë shpenzuar. Investimet e komunave, sado që janë të vogla, janë penguar përmes vonesave në alokimin e mjeteve nga Qeveria. Investimet e jashtme janë reduktuar në shpenzimet e mërgimtarëve kryesisht në patundshmëri, pasi investime nga kompanive të huaja pothuajse nuk ka fare”, është shprehur Hoti. /Gazeta Enigma