Shtiu me armë, arrestohet një person në Shtime

Shtiu me armë, arrestohet një person në Shtime

Policia e Kosovës ka ndaluar një të dyshuar për përdorim të paautorizuar të armës së zjarrit në një fushë në rajonin e Shtimes.

Siç njofton PK-ja, Njësia e Hetimeve e stacionit policor në Shtime, e mbështetur edhe nga policët e rendit, në bazë të një urdhërese të Gjykatës Themelore të Ferizajt, me datën 28.08.2024, rreth orë 13:00 ka realizuar një kontroll në fshatin Petrovë të Shtimes dhe në shtëpinë e të dyshuarit R.R (M/K) i moshës 28 vjeçar, kanë gjetur dy armë të zjarrit, një pushkë automatike dhe një pistoletë.

Kontrollit të shtëpisë së të dyshuarit R.R i ka paraprirë një hetim disa ditësh nga hetuesit policorë, “pasi i dyshuari kishte shtënë me pistoletë në ajër, në një fushë në rajonin Shtimes”.

“I dyshuari është shoqëruar në stacionin e policisë në Shtime dhe pas intervistimit nga hetuesit policorë, me vendim të prokurorit të shtetit është ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura tjera hetimore, ndërsa si provë materiale janë sekuestruar dy armët e zjarrit”.

Rasti, sipas PK-së, është cilësuar “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armëve”.

Related Articles