Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka mbajtur një konferencë për media.
Nga aty ajo ka folur për përleshjen e armatosur mes dy grupeve “Sekiraqa – Capat”, përleshje kjo që për pasojë pati një të vdekur dhe pesë të plagosur.
Ajo u bëri thirrje institucioneve që të kryejnë detyrat me përgjegjësi më të lartë dhe siç tha ajo, që të mos lejojë kriminelë e grupe kriminale që të bëjnë veprime të tilla.
“Në këtë rast ju inkurajoj që të drejtoheni në prokurorinë përkatëse, gjykatën kompetente. Ajo që doja të thosha unë është që për mua është e papranueshme që kriminelë e grupe kriminale të tolerohen nga sistemi i drejtësisë apo tentojnë të sfidojnë ligjin dhe të konsiderojnë që janë mbi ligjin dhe mbi shtetin. I bëj thirrje secilit institucion që të kryejnë detyrat me përgjegjësi më të lartë, të mos lejojnë kriminelët dhe grupe kriminale që të bëjnë veprime të tilla. Ata duhet të përgjigjen para drejtësisë. Janë rrezikuar edhe qytetarët e pafajshëm. Është tejet e rëndësishme që të mbahen përgjegjës ata të cilët kryejnë detyrat që kanë”, tha ministrja Haxhiu në një konferencë për media, njofton Gazeta Enigma.