Shtyhet rigjykimi për vrasjen e dyfishtë në Shaptej të Deçanit për herë të katërt s

Shtyhet rigjykimi për vrasjen e dyfishtë në Shaptej të Deçanit për herë të katërt s

Në Gjykatën Themelore të Pejës, të premten është shtyrë për herë të katërt nisja e rigjykimit ndaj dy të akuzuarve Durim dhe Sali Lushaj, të cilët po ngarkohen për vrasjen e dyfishtë në Shaptej të Deçanit. Shkak i shtyrjes së seancës së sotme u bë mungesa e dy mbrojtëse të të akuzuarve, avokatit Besnik Berisha dhe Kosovare Kelmendi.

Lidhur me mos prezencën e tyre në seancën e sotme, u bë e ditur se të njëjtit kanë njoftuar kryetarin e ri të trupit gjykues, Shaqë Curri, se nuk ishin përgatitur për këtë datë të caktuar më herët nga kryetarja e kaluar e trupit gjykues Violeta Husaj-Rugova, e cila tashmë është avancuar në Gjykatën e Apelt, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Andaj, në mungesë të kushteve ligjore e njëjta u shty për një datë tjetër.

Shtyra e seancave për këtë rast edhe tri herë tjetër në të kaluarën është bërë në mungesë të mbrojtësve të të akuzuarve.

Për këtë vrasje, Gjykata Themelore në Pejë, herën e parë, më 14 prill 2018, e kishte shpallur fajtor Durim Lushajn dhe ndaj tij kishte shqiptuar dënim unik me 25 vite burgim për vrasje të rëndë e armëmbajtje pa leje. Fajtor ishte shpallur edhe Sali Lushaj, ku ndaj tij ishte shqiptuar dënimi unik me 18 vite burgim për vrasje të rëndë në bashkëkryerje e armëmbajtje pa leje.

Gjykata e Apelit, më 3 korrik 2018, kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve si të bazuara dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim, për shkak të shkeljeve esenciale të procedurës penale dhe vërtetimit jo të plotë të gjendjes faktike.

Kurse, në rigjykim, më 28 tetor 2022, Gjykata Themelore në Pejë, Durim dhe Sali Lushajn i kishte dënuar me 43 vite burgim (së bashku). Kurse, Apeli përmes vendimit të 4 prillit 2023, kishte refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve dhe ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së pare.

Mirëpo, sipas kërkesave për mbrojtjen e ligjshmërisë të mbrojtësve të akuzuarve, avokatëve Besnik Berisha dhe Kosovare Kelmendi, Gjykata Supreme më 14 nëntor 2023, ka kthyer sërish rastin në rigjykim.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Pejës, Durim Lushaj akuzohet se më 25 gusht 2016, rreth orës 18:30, në fshatin Shaptej të Komunës së Deçanit, pas një mosmarrëveshjeje paraprake, me armë zjarri ka privuar nga jeta R.R. Sipas aktakuzës, i njëjti pasi kishte privuar nga jeta R.R, bashkë me Sali Lushajn akuzohet edhe për vrasjen e B.R, po ashtu me armë zjarri.

Aktakuza thotë se me këto veprime, ata kanë vënë në rrezik edhe jetën e të miturit A.R dhe G.R e M.R.

Që të dy, akuzohen nga Prokuroria për kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe veprës penale të armëmbajtjes pa leje. 

Related Articles