Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se incidenti i Aeroportit të Shkupit ka qenë tentim për ta poshtëruar shtetin e Kosovës.
Këto deklarime ajo i ka bërë në një intervistë për emision “Kallxo Pernime”, teksa është shprehur se Maqedonia e Veriut ka shkelur çdo parim të së drejtës ndërkombëtare zakonore kur kanë kërkuar t’i kontrollohet çanta e telefoni.
Ajo tha se do të ishte rrezikim i sigurisë kombëtare nëse do të dorëzonte telefonin.
“Çka ndodhi me Maqedoninë që filloi me i shkelë të drejtat ndërkombëtare është pyetja. Kanë shkelur çdo parim të së drejtës ndërkombëtare zakonore sipas së cilës shefit të shtetit, presidentit të një republike, nuk i kontrollohet çanta, aq më pak telefoni. Përkundër kësaj, unë menjëherë e kam vendosur çantën në skaner se e pash që po dojnë me shkaktu problem dhe ata insistuan ta kenë telefonin dhe telefoni është mjet i punës, që komunikoj me institucione të sigurisë, edhe çështje të klasifikuara, natyrisht unë nuk e kam dorëzu sepse do të ishte rrezikim i sigurisë kombëtare i shtetit tim nëse do ta dorëzoja”- është shprehur presidentja Osmani.
Ajo tha se Maqedonia e Veriut është përgjigjur duke shprehur keqardhje dhe duke thënë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë më.
“Ministria e Punëve të Jashtme ka dërgu notë proteste dhe me sa e kam pa Republika e Maqedonisë së Veriut ka kthy përgjigje që shprehin keqardhje se kjo nuk do të ndodhë më. Por është për keqardhje sa është përdorur kjo për arsye politike për të treguar urrejtje ekstreme ndaj shqiptarëve që është përkthye edhe në shumë kërcënime me jetë”- tha tutje Osmani. /Gazeta Enigma