Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e ka pritur sot në takim shefin e ri të Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Aivo Orav.
“Takimi u fokusua në diskutimin e zhvillimeve aktuale në vend dhe rajon, agjendën evropiane të Kosovës dhe përparimin në procesin e reformave për integrimin evropian”, tha drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit në një komunikatë.
Konjufca, siç thuhet, ritheksoi në këtë takim “përkushtimin e legjislativit në vazhdimin e reformave të nevojshme, duke nënvizuar se Kosova tashmë ka përmbushur kriteret dhe është në pritje të dhënies së statusit të vendit kandidat të BE-së”.
“Kryetari Konjufca, pasi i uroi detyrën e re, e njoftoi ambasadorin Orav përkitazi me punën e deritashme të Legjislaturës VIII, përfshirë miratimin e disa ligjeve shumë të rëndësishme që lidhen me Agjendën e Reformave Evropiane, si dhe ritheksoi përkushtimin e legjislativit në vazhdimin e reformave të nevojshme, duke nënvizuar se Kosova tashmë ka përmbushur kriteret dhe është në pritje të dhënies së statusit të vendit kandidat të BE-së. Ai po ashtu e falënderoi ambasadorin Orav për mbështetjen e BE-së ndaj Kosovës, sidomos në fushat e sundimit të ligjit, demokratizimit dhe forcimit të institucioneve”, thuhet në komunikatë.
“Ambasadori Orav e falënderoi Kryetarin Konjufca për pritjen dhe vlerësoi progresin e arritur deri tani. Kryetari Konjufca dhe ambasadori Orav shprehën gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, si dhe vazhdimin e mbështetjes së legjislativit në funksion të avancimit të agjendës së përbashkët evropiane”, thuhet më tej në komunikatë.