Rusia ka marrë raketa të reja balistike vdekjeprurëse nga Irani për përdorim në Ukrainë dhe me shumë gjasë do t’i përdorë ato, tha sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken.
Lajmi, i konfirmuar nga SHBA-ja për herë të parë dhe i parë si i një rëndësie të madhe për balancën e fushëbetejës përpara dimrit të vështirë të Ukrainës, bëri që SHBA-ja dhe Evropa të vendosin sanksione të reja ndaj Iranit, duke i përplasur me sa duket derën perspektivës së një afrimi mes qeverisë së re reformiste iraniane dhe perëndimit.
Lëvizja mund të shtojë gjithashtu presionin ndaj SHBA-së për t’i dhënë fund kufizimeve të saj ndaj Ukrainës duke përdorur raketa të furnizuara nga Britania e Madhe Storm Shadoë për të goditur objektiva thellë brenda Rusisë dhe jo vetëm në pjesët e pushtuara të Ukrainës.
Ukraina, me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar, ka bërë presion për një ndryshim në politikën e SHBA-së, por Blinken, në një konferencë shtypi në Londër, theksoi pengesat për mbështetjen e kërkesës së Ukrainës, duke përfshirë dyshimet për aftësinë e Ukrainës për të ruajtur raketat, trajnimin dhe qëllimin e tyre strategjik.
Blinken këmbënguli se qëndrimi i SHBA-së mbetet për t’i ofruar Ukrainës armët që dëshiron në kohën që dëshiron, por shefi i shtabit të presidentit ukrainas, Andriy Yermak, tha se aplikimi i sanksioneve ndaj Iranit nuk ishte i mjaftueshëm dhe Kievit i duhej leje për të goditur më thellë Rusinë. /Gazeta Enigma