ZPS-ja s’i beson Shqipërisë, Kilajt i refuzohet kërkesa që t’i bëjë pushimet atje

ZPS-ja s’i beson Shqipërisë, Kilajt i refuzohet kërkesa që t’i bëjë pushimet atje

I dyshuari i Speciales për pengim të drejtësisë, Isni Kilaj, e ka befasuar edhe kryeprokuroren e ZPS-së, Kimberly West me dëshirën për të pushuar në bregdetin e Shqipërisë. Sipas West, kërkesa e tij nuk ka asnjë arsyetim.

Kryeprokurorja në parashtresën që publikoi pasditen e së hënës, thotë se stresi që përdoret si arsye nga Kilaj, s’është bazë e mjaftueshme e modifikimit të arrestit shtëpiak as përkohësisht.

Sqaron se po kaloi në Shqipëri, Speciales i humb fuqia mbi monitorimin e Kilajt.

“Mungesa e pëlqimit të shtetit të tretë, bën që i akuzuari të lirohet drejt një vakumi zbatimi ku kushtet e ndalimit të krijuara për ta minimizuar rrezikun nuk ekzistojnë. Shteti i tretë, duke mos qenë palë e kushteve të lirimit, nuk do të ishte i obliguar t’i zbatojë ato duke krijuar kështu potencialisht një ‘tokë të sigurt’ për të akuzuarin”, ka thënë West.

Shqipëria as nuk është kontaktuar nga ndonjëra palë për të folur rreth rasteve të tilla.

Kryeprokurorja e ZPS-së tha më tej se rreziku është në veçanti i lartë në raste – si ajo tani – ku shteti i tretë nuk është konsultuar e as pajtuar të bashkëpunojë me gjykatën.

“Nëse Kilaj vendos të largohet, DhSK nuk do të kishin mbështetje virtuale. Sapo të kalojë në Shqipëri, Kilaj do të ishte jashtë kontrollit të DhSK dhe autoriteteve të Kosovës, duke e rritur ndërlikueshmërinë e ndonjë përpjekjeje për ta rikthyer dhe siguruar praninë e tij në proces”, u shpreh West.

Në kërkesën e tij të gushtit, Isni Kilaj ka pranuar se po të donte, do të arratisej kurdo në Shqipëri prej majit kur u lirua në arrest shtëpiak.

Related Articles