Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, bisedoi me presidentin e Republikës Sërpska të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, gjatë një takimi në Budapest.
Ata biseduan për “integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE) dhe se si Hungaria, si kryesuese e Këshillit të BE-së, mund ta përmirësojë këtë proces”, tha zëdhënësi për media i zyrës së kryeministrit hungarez, Bertalan Havasi.
Ndërkohë, Orbani shkroi në rrjetin social X se takimi i tij me Dodikun ishte “në shërbim të thellimit të stabilitetit të Bashkimit Evropian”.
“Stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është thelbësor për BE-në. Në vend të leksioneve dhe sanksioneve, ne besojmë në dialog dhe bashkëpunim. Takimi im sot me presidentin Millorad Dodik i shërbeu këtij qëllimi”, shkroi Orban.
Orbani është një nga aleatët kryesorë të presidentit prorus të entitetit serb të Bosnjës dhe një nga liderët e paktë të BE-së që janë të gatshëm të takohen me të. Ata biseduan të paktën tri herë në vitin 2023.
Në fillim të këtij viti, Dodiku ia dha Viktor Orbanit çmimin “Urdhri i Republikës Sërpska” në një ceremoni në Banja Llukë.
Të gjithë presidentët e mëparshëm të Serbisë, si dhe kreu i Kishës Ortodokse Serbe dhe pesë personat e dënuar për krime lufte para Gjykatës Penale Ndërkombëtare në Hagë, përfshirë ish-udhëheqësin serb të Bosnjës Radovan Karaxhiq dhe ish-komandantin e Ushtrisë së Republikës Sërpska, Ratko Mlladiq, janë shpërblyer me këtë çmim.
Dodik, një nacionalit i cili ia dha çmimin e njëjtë edhe presidentit rus Vladimir Putin vitin e kaluar, është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe për shkak të përpjekjeve të tij për ta minuar marrëveshjen për paqe Dejton, e cila i dha fund luftës së Bosnjës në vitet ’90.
Qeveria hungareze vuri veton ndaj sanksioneve të BE-së kundër Dodikut.