Lajçaku tha se Serbia është tërhequr nga letra drejtuar BE-së, Bërnabiq: S’është koha të tregojmë tani

Lajçaku tha se Serbia është tërhequr nga letra drejtuar BE-së, Bërnabiq: S’është koha të tregojmë tani

Pas konfirmimit pa mëdyshje të të dërguarit të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, se letra e Ana Bërnabiqit për vijat e kuqe të Serbisë për Kosovën është tërhequr, pasoi një përgjigje e paqartë e tashmë kryetares së Kuvendit të Serbisë.

Nëse e tërhoqi letrën, apo nuk e tërhoqi letrën – ajo nuk ka dashur të zbulojë, të paktën jo ende.

Ish-kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka dërguar një letër në selinë e BE-së në mes të dhjetorit të vitit të kaluar, në të cilën ka shprehur rezerva, ose vija të kuqe, në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, raporton “Kossev”.

Ajo tregoi se marrëveshjet për normalizim nuk nënkuptojnë as njohje de fakto dhe de jure, as që Serbia pajtohet me anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Kjo letër, nga Kosova u interpretua si tërheqje e Serbisë nga marrëveshja, duke akuzuar Beogradin për shkelje të vazhdueshme të saj, duke i kërkuar BE-së që për këtë të reagojë dhe pala serbe ta tërheqë letrën.

Mirëpo, disa ditë më parë, gjatë një vizite në Prishtinë, i dërguari i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Lajçak, ka konfirmuar se kjo letër është tërhequr.

“Letra është tërhequr”, iu përgjigj një pyetjeje të drejtpërdrejtë të një gazetari para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, dhe shtoi:

“Ka disa deklarata që nuk janë të dobishme, por marrëveshja si e tillë është e vlefshme në tërësi. Për më tepër, marrëveshja u bë pjesë e rrugës së BE-së ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndaj do të thosha se vlen dyfish: ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe ndërmjet Kosovës, BE-së dhe Serbisë”, u shpreh ai.

Gjashtë ditë më vonë, kryetarja e parlamentit serb foli për këtë deklarim të Lajçakut.

Në “Euronews Serbia”, Bërnabiq u pyet se si ndodhi kjo tërheqje.

“Pyetja e vërtetë është nëse është tërhequr”, u përgjigj Bërnabiq.

Me këmbënguljen e gazetares për t’u përgjigjur nëse po, ajo nuk pranoi.

“Nuk do të them tani… Jo vetëm unë, por të gjithë ne – nga Vuçiqi, kryeministri Millosh Vuçeviq, unë dhe të gjithë të tjerët, të gjithë me shumë vetëdije dhe qëllimisht nuk i përgjigjemi asaj teme”, tha ajo.

Ajo pohon se nuk kanë dashur të japin informacion për pretendimet e Lajçakut – “të shohin deri ku do të shkojnë me këtë, çfarë do të bëjnë me atë informacion”.

E pyetur pse Lajçaku do të deklaronte diçka nëse nuk do ishte e vërtetë, Bërnabiq tha se nuk e dinte.

Ajo gjithashtu nuk e di nëse dikush tjetër ka biseduar me të për këtë temë gjatë vizitës së Lajçakut në Beograd këtë javë.

Megjithatë, ajo tha se “e di të vërtetën”, por nuk pranon ta ndajë atë.

“Do ta dëgjojmë kur të jetë koha e duhur për vendin dhe interesat tona. Tani nuk është koha e duhur”, ka thënë kryetarja e kuvendit serb, Bërnabiq. 

Related Articles