Policia në Shqipëri ka njoftuar se është duke vazhduar me megaoperacionin policor në Sarandë, të koduar “Tempulli 3”.
Ata kanë bërë të ditur se janë arrestuar dy shtetas polakë që shisnin drogë sintetike metamfetaminë, si dhe ishte sekuestruar një sasi lënde narkotike metamfetaminë në formën e kristaleve.
Së bashku me lëndën narkotike, në ambientet ku këta shtetas qëndronin u gjetën dhe u sekuestruan 4 aparate celulare, 4 fishekë dhe 4 targa të huaja automjetesh.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, në vijim të veprimeve intensive operacionale të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar antidrogë, të koduar ‘Tempulli’, pasi kanë siguruar informacion se një shtetas posedonte lëndë narkotike me qëllim shitjen, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar ‘Tempulli 3’, si rezultat i të cilit u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit polakë G. O., 38 vjeç dhe S. P., 47 vjeç”.
“Gjatë kontrollit në ambientet e një hoteli ne Sarandë, me administrator shtetasin G. O. konkretisht në dhomën ku qëndronte vetë shtetasi G. O së bashku me shtetasin S. P., shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde narkotike të dyshuar metamfetaminë në formën e kristaleve, të cilat dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i posedonin me qëllim shitjen, kryeshisht në lokalet e natës, në qytetin e Sarandës”. /Gazeta Enigma