Sveçla: Përgjegjësia për vrasjen e Afrim Bunjakut është e Serbisë, të dorëzojë terroristët sa më parë

Sveçla: Përgjegjësia për vrasjen e Afrim Bunjakut është e Serbisë, të dorëzojë terroristët sa më parë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në njëvjetorin e rënies heroike të rreshterit policor, Afrim Bunjaku, ka thnëë se përgjegjësia për vrasjen e tij dhe organizimit të sulmit terrorist në Banjskë është drejtpërdrejtë e Serbisë, raporton Enigma.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Sveçla ka thënë se drejtësia është e pashmangshme dhe Serbia duhet të dorëzojë terroristët sa më parë.

“Përgjegjësia për vrasjen e Heroit Afrim Bunjaku dhe organizimit të atij sulmi terrorist është drejtpërdrejtë e Serbisë. Drejtësia është e pashmangshme dhe Serbia duhet të dorëzojë terroristët sa më parë.

Rruga e fshatit Banjskë ku u vra Rreshter Afrimi nga sot mbanë emrin e tij. Ajo është rruga që kolegët e tij e kalojnë çdo ditë në shërbim. Mesazhi që dha Rreshter Afrimi është i qartë, terrorizmin e luftojmë me çdo kusht. Rruga që trasoi Afrimi është e përditshmja jonë bashkë me kolegët e tij, sundimi i rendit dhe ligjit në çdo cep të Republikës sonë”, shkroi ai, teksa bashkëngjiti fotografitë nga homazhet dhe vizita në familjen Bunjaku.

Kujtojmë se më 24 shtator, si pasojë e një konfrontimi me armë me një grup terrorist serb në Banjskë të Zveçanit, ka humbur jetën rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe ka mbetur i plagosur zyrtari policor, Alban Rashiti.

Të vrarë kanë mbetur edhe tre nga terroristët serb që morën pjesë në agresionin e dhunshëm, teksa disa të tjerë u arrestuan, por shumica prej mbi 80 sosh ikën nga vendi i ngjarjes.

Kosova ka fajësuar Serbinë se organizoi sulmin terrorist, gjë që u mohua nga Beogradi zyrtar, të cilët thanë se kjo ishte revoltë e serbëve lokalë.

Përgjegjësinë për sulmin e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, i sanksionuari nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, Milan Radoiçiq, i cili mohoi se ka marrë ndonjë ndihmë nga Beogradi.

Lidhur me sulmin e vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, dy javë më parë ngriti aktakuzë ndaj 45 personave.

Prokurori i rastit, Naim Abazi kishte thënë se ky rast përfshin ngritjen e aktakuzës kundër një grupi të strukturuar kriminal të përbërë nga 45 persona të cilët dyshohen për veprat penale kundër rendit kushtetues juridik, kryerja e veprave terroriste, financim të terrorizmit dhe shpëlarje parash.

“Ndër të akuzuarit kryesor është edhe udhëheqësi kryesor i grupit, Milan Radoiçiq, cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale”, kishte deklaruar Abazi.

Related Articles