“Keqmenaxhimi i buxhetit të universitetit” – Shkarkohet nga pozita sekretari i Përgjithshëm i UP-së

“Keqmenaxhimi i buxhetit të universitetit” – Shkarkohet nga pozita sekretari i Përgjithshëm i UP-së

Këshilli Drejtues ka njoftuar se Besfort Krasniqi është shkarkuar nga pozita e sekretarit të përgjithshëm të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, raporton Gazeta “Enigma”.

Me 8 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës e ka liruar nga detyra sekretarin e UP-së, Besfort Krasniqi, në mbledhjen e datës 26.09.2024.Krasniqi u lirua nga detyra, pas votimit të fshehtë të anëtarëve të Këshillit Drejtues dhe pasi është vlerësuar si përgjegjës për keqmenaxhim të buxhetit të UP-së.

Lirimin nga detyra të sekretarit Krasniqi, Këshilli Drejtues i UP-së nuk e kishte planifikuar si pikë të rendit të ditës së mbledhjes, por ajo u propozua para se të fillonin mbledhjen.

“Edhe më herët i është lëshuar një vërejtje, me raport të auditimit të brendshëm është kërkuar të shkarkohet”, ka thënë Sahiti në një deklaratë për media. 

Gjatë mbledhjes së Këshillit Drejtues të UP-së, Sahiti ka ndarë konkluzionin përfundimtar të raportit të auditimit të brendshëm të UP-së.

Në konkluzionin e raportit të auditimit të brendshëm të UP-së të cilin e ka cituar Sahiti, konstatohet niveli jo i duhur i menaxhimit të buxhetit të UP-së.

“Gjatë testimit të bërë nga dokumentacionet e ofruara kemi identifikuar dhe gjetur se monitorimi dhe kontrolli lidhur me planifikimin e buxhetit, ndarjeve buxhetore dhe inicimin e procedurave nuk ka qenë në nivelin e duhur. Duke pasur parasysh që disa nga aktivitetetet e zhvilluara nuk janë të planifikuara nga mjetet e ndara për vitin 2024, sipas buxhetit të aprovuar nga Këshilli Drejtues me datë 28.02.2024” – thuhet në raportin e audimit të brendshëm të UP-së, sipas Sahitit, raporton Kallxo.com .

Duke u bazuar në Statutin e ri të UP-së, Sahiti tha se përgjegjës për këtë gjendje të buxhetit të UP-së është sekretari i përgjithshëm i UP-së, Besfort Krasniqi si zyrtar më i lartë i administratës në UP dhe zyrtar përgjegjës për udhëheqje efikase ekonomike dhe efektive të Universitetit.

Më tej, Sahiti ka përmendur një prej detyrave të Këshillit Drejtues të UP-së, e përcaktuar sipas Statutit të UP-së: Këshilli Drejtues i UP-së miraton planifikimin vjetor të buxhetit të universitetit dhe mbikëqyr zbatimin e tij.

“Po e shihni edhe e konfirmuam, këtu ka pas një devijim të madh ose një, potencialisht, me vendos në lajthitje Këshillin Drejtues, një tejkalim i përgjegjësive tona duke u bazu në nenin 14 të Statutit të ri, ku thotë – Këshilli Drejtues miraton planifikimin vjetor të buxhetit të Universitetit dhe mbikëqyr zbatimin e tij. D.m.th unë konkludoj që këtu ka pasur disa çështje që bijnë në përgjegjësinë e sekretarit të përgjithshëm. [Sekretari i përgjithshëm, Besfort Krasniqi] Ka vendosë që mos me ardhë sot në mbledhjen e Këshillit Drejtues” – ka shtuar Sahiti.

Tutje Sahiti ka thënë se sekretari i përgjithshëm zgjedhet nga Këshilli Drejtues i UP-së, sipas Statutit të ri të UP-së.

Ndërsa, rektori i ardhshëm i UP-së, Arben Hajrullahu pritet ta propozojë ushtruesin e detyrës së sekretarit të UP-së.

Related Articles