Ushtria e Izraelit thotë se ka vrarë liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallahu

Ushtria e Izraelit thotë se ka vrarë liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallahu

Ushtria izraelite tha të shtunën se e ka vrarë Hassan Nasrallahun, liderin e grupit militant Hezbollah, gjatë një sulmi në Bejrut të premten.

Ushtria tha se e kreu një sulm ajror preciz në selinë qendrore të Hezbollahut në Dahieh, ku ishin mbledhur liderët e Hezbollahut.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite në gjuhën arabe, Avichay Adraee, tha në një komunikatë në X se Nasrallahu, Ali Karki, komandant i Frontit Jugor të Hezbollahut, dhe një numër komandantësh të tjerë janë vrarë.

“Mesazhi është i qartë: Askush që kërcënon qytetarët e Izraelit në veri, në jug dhe nga largësia nuk mund të na ikë”, tha ai.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit e postuan një mesazh në X, ku thanë se “Hassan Nasrallahu nuk do të jetë më në gjendje ta terrorizojë botën”.

Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike. Partia politike e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez.

Agjencia e lajmeve Reuters tha se burime të saj thonë se lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, është transferuar në një vend të sigurt, me masa të shtuara sigurie.

Zyrtarët e Hezbollahut nuk e kanë konfirmuar vdekjen e Nasrallahut. Por, një burim i afërt me Hezbollahun tha më të shtunën se e kanë humbur kontaktin me Nasrallahun nga e premtja.

“Kontakti me Sayyed Hassan Nasrallah ka humbur që nga mbrëmja e së premtes”, tha një burim anonim për AFP, pa konfirmuar nëse Nasrallah ishte vrarë.

Nasrallahu e ka udhëhequr Hezbollahun për më shumë se tri dekada. Hezbollahu nuk e ka komentuar ende lajmin për vdekjen e tij.

Izraeli i vazhdoi sulmet ajrore kundër Hezbollahut edhe të shtunën, teksa grupi militant shkrepi dhjetëra raketa drejt Izraelit.

Mediat izraelite raportuan të shtunën në mëngjes se vajza e Nasrallahut, Zainab Nasrallah, është vrarë. Hezbollahu nuk e ka konfirmuar këtë lajm. Djali i Nasrallahut, Hadi, u vra gjatë luftimeve kundër trupave izraelite më 1997.

Ushtria izraelite tha se sulmi i së premtes u krye vetëm ndaj “selisë qendrore” të Hezbollahut, pa e përmendur emrin e Nasrallahut. Një zyrtar i lartë izraelit tha për media se në shënjestër të sulmit ishin komandantët e Hezbollahut.

Norman Roule, analist nga Instituti Kombëtar i Sigurisë me bazë në Uashington, tha se Izraeli e ka dobësuar Hezbollahun aq shumë saqë Qeveria libaneze mund ta shuajë këtë grup.

“Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë zhdukur një brez të tërë të udhëheqësve të Hezbollahut, të cilët marrin me vete një përvojë të madhe kolektive që është e pazëvendësueshme. Në një botë ideale, Qeveria libaneze do ta përdorte këtë moment për të forcuar autoritetin e saj dhe për të larguar nga Libani këtë grup të armatosur. Megjithatë, është ende herët për të thënë nëse kjo do të ndodhë”, tha Roule për Radion Evropa e Lirë.

Të premten, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu paralajmëroi në Kombet e Bashkuara se sulmet kundër Hezbollahut nuk do të ndalen.

Gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Netanyahu i dha një paralajmërim të ashpër armikut të tij të vjetër, Iranit, duke thënë se “nuk ka vend në Iran ku Izraeli nuk mund të arrijë”, nëse republika islamike vazhdon të përpiqet ta sulmojë Izraelin.

Ai gjithashtu tha se “do të vazhdojmë të dobësojmë Hezbollahun deri sa t’i përmbushim të gjitha synimet tona”.

Related Articles