Shqipëria dhe Serbia do të jenë organizatorët e Kampionatit Evropian U21 që do të mbahet në vitin 2027, raporton Gazeta “Enigma”.
Vendimi përfundimtar pritet të merret më 16 dhjetor në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s.
Në një intervistë ekskluzive për Klan Kosova, ish-kapiteni i kombëtares shqiptare Lorik Cana ka deklaruar se “Armando Duka ende nuk po e dinë se me kë ka punë. Nuk pajtohem me vendimin e tij për të organizuar Kampionat me Serbinë”.
Tutje ai ka shtuar se nuk ka asnjë lloj besimi tek faktori serb.
“Punën e parë, unë vet nuk kam asnjë lloj besimi në sinqeritetin e tyre në çfarëdo lloj hapi që ndërmarrin me faktorin shqiptar dhe kur them me faktorin shqiptar, mundet me qenë Federata shqiptare, Federata e Kosovës”, tha Cana në Klan Kosova.
Kujtojmë se Federatat e futbollit të Shqipërisë dhe Serbisë u angazhuan në maj për të planifikuar këtë ngjarje të madhe sportive, e cila do të sjellë së bashku 16 ekipe. Organizimi i turneut kërkon tetë stadiume të gatshme për të pritur 31 ndeshje. /Gazeta Enigma/