Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se është zhgënjyes dhe dëshpërues ritmi i punimeve në autostradën Prishtinë – Gjilan.
Haradinaj ka thënë se pazotësia e qeverisë aktuale, këtë projekt e ka sjellë në gjendje të mjerueshme. Ai thotë se autostrada që ishte filluar gjatë qeverisjes së tij, në 19 muajt e parë të projektit kanë qenë të përfunduara 47% e punimeve.
“Zhgënjyes dhe dëshpërues ritmi i punimeve në autostradën Prishtinë – Gjilan! Në autostradën që e filluam gjatë qeverisjes sime më 2018, me gjatësi prej 22.3 km dhe e ndarë në 8 llote, në vetëm 19 muajt e parë të projektit, kanë qenë të përfunduara 47% e punimeve. Me dinamikën e asaj kohe dhe në bazë të planifikimeve tona, ky projekt do duhej të përfundonte në 2021.
Pazotësia e qeverisë aktuale, këtë projekt e ka sjellur në gjendje të mjerueshme. Punimet po ecin me ritëm të ngadaltë, duke lënë Gjilanin dhe Anamoravën të izoluar. Kjo përbuzje nga pushteti qendror është e pafalshme. Qeveria aktuale jo vetëm që ka ndërprerë shumë projekte të filluara nga ne, por edhe ato që po vazhdojnë po kryhen me cilësi të dobët.
Më 9 shkurt, kemi mundësinë të zgjedhim një qeverisje të re që do t’i japë Kosovës zhvillimin që meriton. Me AAK-në në pushtet, Gjilani do të rikthehet në qendër të investimeve dhe projekteve kapitale”, ka shkruar Haradinaj.