Derisa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte javën e fundit të shtatorit për vizitë në Shtetet e Bashkuara, në vendin e tij po shqyrtohej për vazhdimin ose jo të bashkëpunimit të SHBA-së me Policinë e Kosovës. Amerikanët nuk janë të kënaqur me disa veprime të Kurtit dhe analistët tërheqin vërejtjen se “qëndrimi konfrontues” i tij rrezikon ta izolojë Kosovën.
Daniel Serwer, profesor në universitetin “Johns Hopkins”, thotë se amerikanët nuk janë të mësuar me një kryeministër të Kosovës që sillet si kryeministër i një shteti sovran.
“Ata (amerikanët) mendojnë se ai (Kurti) duhet të konsultohet për gjithçka, madje, janë mësuar që kryeministrat e Kosovës të ndjekin shumë udhëzime nga Uashingtoni. Dhe ta them të drejtën, sjellja e Kurtit nuk pranohet mirë prej tyre”, tha Serwer në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.
E profesori tjetër amerikan, Charles Kupchan, thtoë se Kurti po i vendosë interesat e brendshme politike, përpara interesave kombëtare.
“Ngritja kundër Uashingtonit, shfaqja e muskujve dhe tregimi i njëfarë autonomie, duke se e ndihmojnë Kurtin për të fituar popullaritet. Unë e shoh këtë si një lojë dritëshkurtër, mund të jetë politikisht e dobishme në afat të shkurtër, por është e rrezikshme në afat të gjatë”, deklaroi Kupchan.
Kurti, sidomos në dy vjetët e fundit të qeverisjes, e ka pasur shtrirjen e kontrollit në veri pjesë të rëndësishme të politikës së tij.
Ai ka arritur që të zëvendësojë targat serbe me targa të Kosovës, ka instaluar kryetarë shqiptarë në komunat me shumicë serbe dhe ka hequr nga përdorimi dinarin serb.