Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se fajin për përgjimet mes kriminelit Milan Radoiçiq dhe shefes së grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, nuk e ka kjo e fundit, por kryeministri Albin Kurti.
Lekaj tha se sot partia e LVV-së nuk është në seancë për ta mbrojtur shefen e tyre, “pasi nuk kanë të drejtë pas gabimit historik të tyre”.
“Kanë ardhë me entuziazëm, me patriotizëm sepse janë mbështet prej 50 përqind të qytetarëve, dhe pas katër vjetëve ata po shkojnë me kokulur. Nuk kanë bërë asnjë veprim në asnjë segment që qytetari do ta mbajë mend”, deklaroi Lekaj.
“Nuk i ka fajet Kusari-Lila, por kryeministri, se me koordinime të tij keni vepruar, e Dejona, ku jeni sot, ku jeni fshehur, pse nuk po e mbrojnë Mimozën. Nuk keni të drejtë se keni bërë një gabim që historia nuk do t’ua fal”, shtoi ai.
“Kemi pasur të drejtë që iu kemi thënë në ditët e para që kryeministri është mashtrues, dhe do t’iu mashtrojë për jetë e mot nëse i besoni”, përfundoi Lekaj.