Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e ka quajtur kryeministrin Albin Kurti “llaskuc politik”.
Në seancën e sotme ku po debatohet për audio-incizimin e Mimoza Kusarit me Milan Radoiçiqin, pa prezencën e mazhorancës, ajo tha se ky mandat i qeverisë Kurti po përfundon ashtu siç ka nisur – “keq”.
“Ky mandat i qeverisë po përfundon ashtu siç ka nisur – keq. Llaskuc politik dhe pa asnjë kriter njerëz e kombëtar. Edhe 100 vjet pas nëse qeverisë VV-ja nuk ia del dot të barazohet por as t’i afrohet sukseseve të PDK-së dhe ky fakt e lë pa gjumë Binin, ky fakt ia rëndon qafën Binit”, tha Musliu.
Për shefen e grupit parlamentar e VV-së, Mimoza Kusari-Lila, Musliu tha se “po viktimizohet”.
Ajo i bëri thirrje Prokurorisë për të hetuar se kush ka qenë i përfshirë në këtë krim, kush po gënjen dhe kush po manipulon me popullin.
“E humbe kontrollin dje. Çfarë pazare keni bërë me Radoiçiqin që ai u lejua të largohej nga Kosova pas Banjskës. Me urdhër të kujt i keni bërë këto marrëveshje. Viktimizimi nuk të ndihmon, nuk të nxjerr nga llumi i Kurtit. Kosova nuk është pronë private e juaja që të bëni çfarë të doni”, tha Musliu.