“Ma shumë rrahje se bukë, por nuk ka ku të shkojë” – Çfarë i detyron gratë të rrijnë me burrat dhunues?

“Ma shumë rrahje se bukë, por nuk ka ku të shkojë” – Çfarë i detyron gratë të rrijnë me burrat dhunues?

Në një ditë të bukur korriku, Ahmeti i kishte propozuar Zanës (Këta nuk janë emrat e vërtetë të personazheve) që pjesën e mbetur të jetës ta kalonin bashkë. Ajo e kishte pritur gjatë e me shumë emocion atë moment, ndaj edhe me të dëgjuar frazën “A pranon të bëhesh gruaja ime”, me sa fuqi që kishte i ishte përgjigjur me “Po”.

Pak javë më vonë çifti ishin martuar, e sipas Zanës, ajo kishte filluar të jetoj në shtëpin ku bashkëshorti i saj tashmë, ishte rritur. Ditët e para për të ishin mjaftë të bukura. Por, me ardhjen në jetë të djalit të tyre, dita e ditës, Ahmeti kishte filluar të ndryshoj.

Ndonëse ka kaluar kohë, Zana i kujton shumë mirë ditët e parë të martesës “Për neve muaji i mjaltit nuk u kanë veç një muaj. Jetën mjaltë e kemi pasë, deri kur e kam lind djalin e madh. Kur lindi djali, ai u ba sikur me kanë komplet tjetër njeri. Nuk mujke me i duru të qarat e tij, nuk u interesojke se a i mungon najsen, a ka hangër, a ka pi”.

“Natyrisht që unë nuk mujsha me e toleru një qasje të tillë. Atëherë ka filluar me m’ushtru dhunë”, kështu e përshkruante Zana jetën e saj.

Ajo rrëfeu se në fillim sjelljet e tij të dhunshme u mundua që të mos i shoh “si diçka shumë e madhe”.

“Mas herës së parë që m’ka rreh, ka ardhë edhe ka kërku falje. Unë ia kam falë, me mendimin që u pendu edhe me vete kam thanë “hajt se burrë është ky. S’ka dert. Krejteve iu ndodh me pas probleme”. Por, edhe pse tha që u pendu nuk doli të jetë ashtu. Edhe në shtatëzaninë e dytë m’ka rreh. Bëjke presion me e hjekë beben (abortu). Normal që unë nuk e hjeki se ai është rob i Zotit”, vazhdonte ajo.

Zana tregoi se pas lindjes së fëmijës së saj të tretë, vendosi të ndahet. Pasi, sipas saj, më nuk po mund të vazhdonte jetesën me burrin që e dhunonte në prani të fëmijëve.

“Boll e kam duru. Ka pasë dhunë fizike, psikologjike, ekonomike. E dija që s’ka me mbledhë mend. Sidomos kur e shihja që edhe para syve të fëmijëve po më godet. Kur nuk iu dhimbshin fëmijët e tij me i pa qato “skena”, e qysh kam me iu dhimtë unë ose qysh ka me pasë mëshirë për mua. Nuk doja që me i lanë jetim”, rrëfente Zana me lotë në sy.

Ajo ka treguar se gjyqtarja e rastit kishte vendosur që Ahmeti t’i paguante Zanës alimentacionin. Por, sipas saj, një gjë  e tillë asnjëherë nuk ndodhi dhe kjo e detyroi të ia jap atij fëmijët që të kujdeset për ta.

“Në vitin 2022 jemi divorcu. Pas një vargu të gjatë të seancave që kemi mbajt. Kanë qenë diku nja 5-6 seanca. Sa për mua ato kishin përfundu sahora. Por, ai nxjerrke probleme. Alimentacionin kurrë nuk ma ka pagu. Vazhdimisht punon, ka pare boll. Këtë e dinë edhe Gjykata, se para gjyqit ka thanë që kam gjendje mesatare ekonomike. Ndërkaq në Qendrën për Punë Sociale ka deklaruar se është i papunë. Unë kam qenë e detyruar t’i me ia jep fëmijët se nuk kisha zgjidhje tjetër. Nuk kisha me çka të kujdesem për ta”, ka thënë Zana.

Ajo thotë se “fëmijët mund t’i shoh kohë pas kohë. Por asnjëherë nuk është e mjaftueshme për mua. Nganjëherë në fundjavë vijnë për të më takuar. Ose nganjëherë më duhet t’i lus të tjerët që t’i thonë atij të m’i lë fëmijët më gjatë tek unë. Për festa vijnë më rrallë. Për shembull, vijnë me ba Bajram në ditën e dytë a të tretë. Unë e ndiej që ata më duan. Edhe diqysh kam shumë shpresë që kur të rriten kanë me m’dashtë akoma më shumë. Se atëherë do të jenë në gjendje ta kuptojnë kush ka pasë faj”.

Zana po ashtu shpreson se nëse “gjenë ndonjë vend të mirë të punës edhe mund ta fitoj kujdestarinë e fëmijëve. Por puna është se paga mund të mos jetë e mjaftueshme për tu kujdesur për ta”.

Sipas avokatës Fehmije Gashi- Bytyqi, gjatë procesit të divorcit garë hasin në vështirësi të ndryshme.

“Gjatë procesit të divorcit gratë hasin në sfida të shumta. Sidomos pas divorcit ndër sfidat më të mëdha është çështja e vendbanimit, me qenë se gratë nuk kanë prona në emër të tyre. Pra, nuk kanë prona të trashëguara nga familja. Pastaj sfiduese është edhe realizimi i alimentacionit, thënë ndryshe mbajtjës financiare. Kjo është sfidë goxha serize që i detyron garë edhe të bëjnë zgjedhje të vështira”.

Gashi ka deklaruar se sfidat nëpër të cilat gratë kalojnë nuk përfundojnë me kaq.

“Ndërkaq, sfida finale dhe më e madhja është ndarja e pasurisë së përbashkët. Pra, pasurisë së krijuar nga çifti pas lidhjes së kurorës”, ka thënë ajo.

Sipas një studimi të kryer nga Smart Ballkans, të publikuar më shtator të këtij viti, thuhet se 26.5 % e grave të punësuar në Kosovë kanë paga më të ulëta se 500 euro. Në krahasim me vitin 2021, më shumë se  2 mijë e 751 gra më shumë kanë punësim të paqëndrueshëm.

Në të njejtin studim thuhet se paqendrueshmëria në punësim është duke u rritur më së shumti në tek gratë me profesione elementare (17.9% në vitin 2023), dhe gratë profesioniste (16.3% në vitin 2023).

Ndërkaq, në Agjencinë Katastrale të Kosovës në vitin 2023 kanë qenë të regjistruara 608.317 prona të regjistruara – prej tyre 476.394 ose 78.31 për qind në emër të burrave dhe 119.728 ose 19.68 për qind në emër të grave.

Edhe një grua tjetër me histori të ngjashme

Pak kilometra larg vendbanimit të Zanës, në një fshatë të thellë jeton Suada. Ajo është 24 vjeçare. Për herë të parë në jetën e saj ajo u ndau me dikë “të huaj” përjetimet e nënës së saj.

Ndonëse ishte e vështirë për të, vullneti i saj për t’i dhënë një shembull grave e vajzave të tjera nuk e la të dorëzohet.

Ngjashëm si Zana, edhe nëna e Suadës nuk kishte patur jetë të lumtur bashkëshortore.

E bija e saj rrëfen se ajo kishte përjetuar dhunë për vite të tëra nga bashkëshorti, por nuk kishte mundur të divorcohet, pasi sipas saj, “nuk kishte ku të shkonte”.

“Ma shumë ka hangër rreh, se sa bukë. Nuk e di qysh ka mujtë me e duru, e qe besa as ajo nuk e din bash mire. Ama me rendësi (për atë) është që neve nuk na ka mungu kurgjo. Qajo i ka dhanë forcë, madje edhe shpresë që të mirat e saj një ditë kemi me ia kthy me të mirë. Nëna ime nuk mundi të largohet nga ajo shtëpi, në të cilën nja ditë të bardhë nuk e patë. Se nuk kishte ku të shkonte. Vëllëzërit e saj lakmiqarë kurrë nuk i kanë thënë “a do që ta marrësh hisen tënde?”. E normal që ajo në rrugë s’ka mujt me nejt, se aq sa është marre me e lyp hisen që të takon është marre edhe me dale e me nejt në rrugë nje gru e martune”, ka rrëfyer Suada jetën e nënës së saj.

Të njëjtin fat si nëna e Suadës e patën edhe shumë gra të tjera.

Sipas një hulumtim të Rrjetit të Grave, i publikuar në vitin 2018, është vlerësuar se rreth 19 % e grave heqin dorë nga e drejta e trashëgimisë. Faktorët që ndikojnë në marrjen e këtij vendimi janë: frika e bartjes së pronës së familjes ku kanë lindur te familja e bashkëshortit të tyre (12%).

Në të njejti studim 18% e pjesëmarrësve kanë treguar se cilat janë arsyet që i kanë shtyer të mos marrin trashëgiminë: “unë nuk dua hise nga prindërit e mi”; “unë dua të krijoj pasuri me familjen time/me familjen e burrit”; “dëshirë personale”; dhe “mundësia e krijimit të armiqësisë në familje”.

Edhe për aktivisten për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Neri Ferizi njëra ndër arsyet pse gratë nuk kërkojnë të divorcohen nga bashkëshortët e tyre është se ato nuk kanë ndonjë pronë në emër të tyre.

“Gratë vazhdojnë të jetojnë nën frikën e situatës së dobët ekonomike të tyre. Një pjese e tyre nuk kanë trashëguar nga familja e tyre, dhe gjasat për me përfundu në “rrugë” ose tek një shtëpi kolektive e familjes së tyre janë të mëdha. Kjo e bënë më të vështire edhe divorcin për gratë në Kosovë. Një pjesë e tyre që arrijnë të marin pasuri nga burrat, e kanë më të lehtë ndarjen. Por që ky numër është tepër i vogël”, ka thënë Ferizi.

Tutje, ajo ka deklaruar se “bazuar në përvojën e saj me gra të divorcuara vërehet se gratë që qëndrojnë mirë në aspektin ekonomik, kanë më shumë kontroll mbi jetën e tyre”.

“Përtej pozitës ekonomike, statusi social i tyre sipas normës patriarkale, vazhdon t’i ulë ato në një klasë më poshtë. Duke i parë ato si viktima. Dihet që martesa ende konsiderohet e shenjtë tek ne, dhe divorci ende është njollë e zezë në jetët e çiftit, duke u theksuar më shumë te gratë. Por, nga përvoja me gratë e divorcuara, një pjesë e atyre që qëndrojnë mirë ekonomikisht, kemi arrit me vërejt çlirimin e tyre nga këto norma shtypëse dhe marrja e kontrollit mbi jetët e tyre. Situata e keqe ekonomike e grave ne Kosovë i detyron ato që me vazhdu me qëndru pa dëshirën e tyre me shumë burra shtypës e dhunues”, ka përfunduar aktivistja.

<Materiali/Programi> financohet nga Bashkimi Evropian dhe projekti rajonal “SMART Balkans – Shoqëria civile për shoqërinë e përbashkët në Ballkanin Perëndimor” që zbatohet nga Centar za promociju civilnog društva (CPCD), Qendra për Kërkim dhe Politikëbërje (CRPM) dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) dhe mbështetet financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë (NMFA).

Përmbajtja e <emrit të materialit> është përgjegjësi vetëm e zbatuesve të projektit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian, Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë (NMFA), Qendra për Promovimin e Shoqërisë Civile (CPCD), Qendrës për Kërkime dhe Politikëbërje (CRPM) apo Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM).

Autore: Dijellza Preniqi

Ky artikull financohet nga Bashkimi Evropian dhe projekti rajonal “SMART Balkans – Shoqëria civile për shoqërinë e përbashkët në Ballkanin Perëndimor” që zbatohet nga Centar za promociju civilnog društva (CPCD), Qendra për Kërkim dhe Politikëbërje (CRPM) dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) dhe mbështetet financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë (NMFA).

Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e zbatuesve të projektit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian, Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë (NMFA), Qendrës për Promovimin e Shoqërisë Civile (CPCD), Qendrës për Kërkime dhe Politikëbërje (CRPM) apo Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM)

Related Articles