Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka kritikuar ashpër deputetët e pushtetit për mungesën e tyre në Kuvend, duke thënë se ata janë larguar sepse e dinë se kanë krijuar një “bërllok”.
Gjatë seancës së sotme, ajo theksoi se vendi është i zbrazët, kur duhet të ishin të pranishëm shumica e deputetëve dhe e gjithë Qeveria, raporton Gazeta Enigma.
“Kanë ikur dhe do të ikin deri më 9 shkurt. A e dini pse? Sepse e dinë që e kanë bërë bërllok në të gjitha anët, dhe nuk kanë asgjë për të thënë,” tha Deliu-Kodra, duke theksuar se faktet që dalin çdo ditë flasin më shumë se përpjekjet e tyre për të justifikuar situatën.
Ajo e quajti ikjen e tyre një akt të kokëfortë, duke shtuar se ata e ndjejnë veten fajtorë dhe se të drejtit nuk ikin, por vijnë për t’u ballafaquar.
“Fajtorët dhe veçanërisht frikacakët e lënë karriget në këtë gjendje para qytetarëve të Kosovës,” tha ajo.
Deliu-Kodra vazhdoi me akuza të rënda, duke thënë se është provuar se pushteti ka bashkëpunuar me Radojciqin në dëm të interesit të Kosovës dhe se ka vjedhur miliona euro përmes mafisë energjetike.
Ajo gjithashtu përmendi skandalin e faljes së borxheve për ambalazhuesit e ujit, duke thënë se dikush kishte fituar 400 mijë euro vetëm në një muaj, ndërsa kishte blerë katër banesa brenda një viti, duke e lënë ushtrinë pa bukë./GazetaEnigma/