Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, në takimin e ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel ka folur për rolin që ka KFOR në stabilitetin në rajon.
Ai po ashtu njoftoi se ka bërë thirrje që të ketë një vëmendje të shtuar të NATO-s të ndaj dinamikave hibride dhe aktiviteteve malinje, veçanërisht në veri të Kosovës.
“Gjatë fjalës time në këtë sesion, theksova rëndësinë e qasjes gjithëpërfshirëse të parandalimit dhe mbrojtjes, duke kërkuar vëmendje të shtuar për Rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe ndava gjithashtu shqetësimin për sfidat e sigurisë me të cilat përballet rajoni”, ka thënë ai pas takimit.
“Vlerësova gjithashtu rolin thelbësor të misionit KFOR në sigurimin e stabilitetit në rajon, ndërkohë që bëra thirrje për vëmendje të shtuar ndaj dinamikave hibride dhe aktiviteteve malinje, veçanërisht në veri të Kosovës dhe ndaj zhvillimeve shqetësuese në Bosnje-Hercegovinë”.
Vengu ka theksuar se është shumë i rëndësishëm komunikimi i qartë nga Aleanca për të lehtësuar dialogun politik midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe nevoja për veprime të shpejta për t’iu përgjigjur çdo ndryshimi në situatën e sigurisë.
“Vlerësova në të njëjtën kohë edhe vendimet strategjike të NATO-s për integrimin Euro-Atlantik të rajonit dhe rikonfirmova se roli i KFOR-it është i pazëvendësueshëm për stabilitetin e Ballkanit duke shtuar se Shqipëria, nga janari 2025, do të rrisë praninë e saj në misionin EUFOR-ALTHEA”, ka potencuar ai.